Shkëputur nga takimi i mbajtur në Teatro Orione, Romë, 24 Prill 2025. Video e publikuar në kanalin YouTube të Alessandro Di Battista me titull: “Rompiamo l’assedio a Gaza: Peter Gomez, Francesca Albanese, Moni Ovadia, Alessandro Di Battista”
Peter Gomez:
Moni, një nga deklaratat më të diskutueshme të Papa Françeskut – që u vu shumë në pikëpyetje – ishte intervista e famshme në televizionin zviceran, ku Papa tha se duhet pasur guxim të ngrihet flamuri i bardhë. Ai e shpjegonte këtë duke thënë se kur e kupton që lufta për rezistencë apo mbrojtje nuk ka asnjë mundësi për fitore, ke detyrën të mbrosh popullsinë civile dhe të bësh gjithçka që gjakderdhja të ndalet.
Ky arsyetim, mund të aplikohet edhe për Hamasin?
Moni Ovadia:
Unë mendoj se jo, dhe ja pse. Këtë e ka shpjeguar shumë qartë, besoj, një nga specialistët më të mëdhenj të gjallë mbi historinë e Holokaustit, profesori izraelit Amos Goldberg, i cili ka thënë se viktimat e shkaktuar nga Hamasi janë aksidentale. Ndërsa objektivat e vërtetë (të ushtrisë izraelite) janë civilët palestinezë.
Pra, qëllimi i ushtrisë izraelite nuk është aspak të zhdukë Hamasin, por të fshijë identitetin palestinez si popull. Dhe ky qëllim ka nisur prej shumë kohësh, sepse procesi – siç e tha me shumë të drejtë edhe Francesca, genocidi është një proces – fillon që nga një qëllim i hershëm për të zhdukur identitetin palestinez si të tillë, pra një etnocid që kthehet në genocid. Këtë kishte shprehur edhe Golda Meir, aq shumë e lavdëruar dhe e përmendur, kur pat thënë se populli palestinez nuk ekzistonte: “këtu jemi të gjithë palestinezë”. Sepse në kohën e mandatit britanik, të gjithë banorët e territorit të Palestinës mandatore kishin dokument identiteti ku shkruhej “palestinez”. Duke shfrytëzuar këtë fakt, Golda Meir mohoi ekzistencën e palestinezëve, duke thënë se “të gjithë jemi palestinezë”.
Ky, natyrisht, ishte një mashtrim i mjerë për të mohuar të vërtetën e dukshme të ekzistencës së popullit palestinez, një e vërtetë që është mohuar gjithmonë nga sionizmi politik. Sionizmi politik ka përdorur një slogan që tregonte qartë këtë qëllim që nga fillimi: “Një tokë pa popull për një popull pa tokë” – por atje një popull ekzistonte. Pse nuk u vu re populli palestinez? Apo u përfitua nga rrethanat për të bërë sikur nuk shihej? Sipas meje, kjo vjen nga vetë natyra kolonialiste e sionizmit, që lindi pikërisht në një nga epokat e arta të kolonializmit evropian, në fund të shekullit të XIX. Unë mendoj se sionizmi u formësua edhe nën ndikimin e Kongresit të Berlinit të vitit 1884, ku shtetet kolonialiste evropiane u mblodhën për të ndarë territoret: “unë marr këtë pjesë, ti merr atë pjesë” dhe kështu me radhë.
Në atë kongres u kodifikua një parim i tmerrshëm që do të shërbente si justifikim për kolonizimin: ideja e “terra nullius” – tokë e askujt. Jo sepse në ato toka nuk jetonte njeri, por sepse, sipas kolonialistëve, ata që jetonin aty nuk konsideroheshin njerëz të vërtetë. Nuk ishin evropianë, nuk ishin të bardhë kaukazianë, dhe për këtë arsye, edhe palestinezët u konsideruan pjesë e “askujt”.
Është shumë e rëndësishme të kuptohet se sionizmi gjithmonë ka pasur prirjen të mohojë popullin palestinez, ta mohojë në çdo shprehje të identitetit të tij. Dhe keqkuptimi i madh që, sipas meje, duhet zhdukur një herë e mirë është ai që i paraqet sionistët e majtë si ndryshe nga të tjerët. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Qysh në vitin 1942, në një konferencë të mbajtur në Nju Jork, në Hotelin Biltmore, Ben Gurioni e tha hapur: “Po, ne e pranojmë ndarjen, por më pas do të organizohemi vetë”, me synimin e qartë për spastrim – një logjikë genocidale që më vonë do të çonte në krijimin e kampit të refugjatëve në Gaza dhe më pas në kthimin e tij në një burg të hapur nën qiell.
Kur gjeneralët izraelitë, gjatë luftës së vitit 1948, informonin se disa veprime ushtarake nuk mund të kryheshin sepse në atë rrugë ndodheshin fshatra palestineze, Ben Gurioni u përgjigjej: “fshijini nga faqja e dheut”. Dhe kështu, 500 fshatra palestineze u shkatërruan dhe të vdekurit e tyre u varrosën në mënyrë që të mos mund të gjendeshin kurrë.
Sionizmi është një ideologji kolonialiste, hipernacionaliste, që lindi si laike, por për të legjitimuar përvetësimin e tokës, është shpikur çdo lloj mjeti, gjithçka e mundshme – deri aty sa të merrej edhe Bibla si justifikim. Sigurisht, me narrativën se “kjo tokë na është dhënë nga Zoti”. Këto janë marrëzi nga çdo këndvështrim që t’i shohësh. Unë, meqë jemi tashmë në një kohë ku secili mund të thotë ç’të dojë, kam menduar që ndonjë ditë, si hebre me prejardhje që jam, të zgjohem e të them: “Kam parë në ëndërr Zotin që më tha se unë jam Mesia, dhe si i tillë, shpall se toka e Palestinës i përket palestinezëve”. Sepse shtëpia e vërtetë e hebreut është mërgimi.
Kanë përdorur çdo mjet që kishin në dorë – çdo lloj gënjeshtre, të gjitha qesharake.
Arkeologët izraelitë, për shembull, kanë zbuluar se 1000 vjet para Jezusit, në Jeruzalemin e sotëm nuk kishte njerëz. Dhe më e bukura, siç e thotë historiani i madh Ilan Pappé: “Shumica dërrmuese e sionistëve nuk besojnë në Zot, por besojnë se Zoti u ka premtuar atë tokë”. Ky është thelbi i sionizmit – një përkufizim i përsosur.
Peter Gomez:
Alessandro, pas masakrës së 7 tetorit, siç mund ta kujtosh, pati disa deklarata publike nga drejtues të Hamasit ku thuhej: “kemi nevojë për më shumë gjak të popullit tonë, për më shumë fëmijë të vrarë, për më shumë masakra.”
Nënteksti ishte i qartë: vetëm kështu bota do të na kushtojë vëmendje, vetëm kështu mund të ndodh diçka. Për sa e tmerrshme që është, kjo dukej të ishte strategjia politike. Por rezultati është që jo vetëm qeveritë e vendeve perëndimore nuk kanë lëvizur as gishtin për Palestinën, apo të paktën për Gazën, por asnjë qeveri e ndonjë vendi arab. Përtej disa deklaratave, nuk ka as embargo – madje as nga Turqia. Askush nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret. Sipas teje, nga këndvështrimi i qeverive: problemi janë izraelitët apo palestinezët?
Alessandro Di Battista:
Mirëmbrëma të gjithëve!
Para së gjithash, për mua është një nder i vërtetë të jem këtu me ju, me artistë, këngëtarë, aktorë që janë shfaqur në një moment kur shumë njerëz bien dakord me ne, por fatkeqësisht kanë frikë të dalin hapur. Jam gjithashtu i nderuar të jem pranë njerëzve jashtëzakonisht të guximshëm si Moni, dhe pranë një personi që për mua përfaqëson krenarinë italiane – si Francesca – e cila duhet të intervistohej nga të gjitha televizionet italiane, por në vend të kësaj injorohet… sepse e njeh realitetin.
Problemi, nga njëra anë, është se Izraeli – një fuqi e madhe nga shumë këndvështrime: ushtarakisht, politikisht, financiarisht, është një entitet që mbrohet qartazi nga shteti që ende, për momentin, është më i fuqishmi në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës – megjithëse, falë Zotit, janë në rënie. Falë Zotit, Shtetet e Bashkuara po kalojnë një krizë të thellë, dhe unë, sinqerisht, jam i lumtur për këtë. Personalisht, tashmë e kam kthyer vëmendjen diku tjetër. E shoh shpresën te vendet e BRICS sepse më japin më shumë besim sesa ai që quhet “blloku perëndimor” – i cili është kampion vetëm në hipokrizi.
Shumë kanë frikë. Më vjen ndër mend Giorgia Meloni, për shembull – e njoh mjaft mirë.
Dikush më thotë: “Pse flet gjithmonë për të?” Sepse ajo është kryeministrja. Po të ishte dikush tjetër, do kritikoja atë tjetërin, sigurisht. Por unë e mbaj mend mirë që në vitin 2014, kemi folur edhe personalisht për çështjen palestineze. E kujtoj gjithashtu kur bënte ndonjë postim në Twitter gjatë një prej masakrave – sepse, siç e kujtonte edhe Francesca, masakra në Palestinë ka pasur pafund. Gaza është bombarduar në vitin 2001, 2002, 2003, 2004, 2008, 2009… Në prag të viteve 2008–2009, gjatë operacionit “Plumbi i shkrirë”, u përdor edhe fosfor i bardhë. Pastaj në vitet 2010, 2012, dhe nëse nuk gaboj edhe në 2015. Në vitin 2014 u vra edhe një gazetar italian, Simone Camilli. Nuk e di nëse ndodhet këtu në sallë nëna e tij… Por Simone nuk përmendet kurrë.
Ashtu si Andy Rocchelli, janë gazetarë të cilët, thjesht sepse treguan realitetin, duhet të harrohen.
Edhe historia e tyre tregon të vërtetën.
Peter Gomez:
Sipas teje, a duhet të ngrejë flamurin e bardhë Hamasi?
Alessandro Di Battista:
Peter, edhe nëse nesër Hamasi do të lironte pengjet – që, për të qenë i sinqertë, as nuk e di sa kanë mbetur, sepse shumë prej tyre ka gjasa janë vrarë nga vetë ushtarët izraelitë (sipas mendimit tim, ushtria izraelite – IDF – është ndër organizatat terroriste më të këqija në botë) – mendoni se do të ndalej genocidi?
Qëllimi gjithmonë ka qenë spastrimi etnik, dëbimi i palestinezëve. Në të vërtetë, 7 tetori ka shërbyer vetëm si pretekst për të vazhduar një spastrim etnik që ndodh prej dekadash. Kjo, sigurisht, nuk do të thotë të mos e dënojmë dhunën. Por dua të kujtoj se kur Bettino Craxi (me të cilin për shumë çështje nuk jam pajtuar kurrë) foli në Parlament, tha: “Jam kundër terrorizmit, por lufta e armatosur është një e drejtë për një popull të pushtuar”. E tha këtë si kryeministër i Italisë në vitin 1985 – kohë kur Hamasi as që ekzistonte ende (Hamasi u themelua në vitin 1987).
Dhe kur presidenti Sandro Pertini – sa na mungojnë politikanët e Republikës së Parë – deklaroi: “Nuk do të ketë kurrë paqe në Palestinë për sa kohë të vazhdojë pushtimi dhe konfiskimi i tokave”, Hamasi nuk ekzistonte ende. Dikur kishim politikanë si ai, sot kemi kamarierë – si presidenti i Republikës Sergio Mattarella, që pret mbështetës të sionizmit pa nxjerrë një fjalë nga goja.
Kjo sallë ku jemi – falë Zotit – është një hapësirë e lirë. Dhe unë jam thellësisht i bindur se edhe po të zhdukej Hamasi nesër, spastrimi etnik do të vazhdonte. Genocidi do të vazhdonte, sepse ky është vetë qëllimi i sionizmit. E vetmja gjë për të cilën ndjej mirënjohje është për njerëzit e guximshëm, për të gjithë ju këtu – sepse mes jush ka qindra gazetarë të vegjël, që çdo ditë e çdo natë japin informacion. Unë i dalloj nga sytë, ata nuk flenë natën, sepse ndihen të thirrur të shpërndajnë të vërtetën. Po të mos ishim ne, po të mos ishit vërtet ju, sot do të ishte ende e pamundur të thuash se je antisionist. Dje ishte e pamundur, sepse kush ishte kundër sionizmit, etiketohej menjëherë si antisemit. Sot, më në fund, është e mundur të kërkosh të drejtën për të qenë antisionist.
Dhe unë shpresoj që me punën e përbashkët, nesër të jetë jo vetëm një e drejtë – por një detyrë të jesh antisionist.