Skandali i fundit i Autoritetit Rrugor Shqiptar, ai i anullimit të tenderit të rrugës Kardhiq-Delvinë, po ngjan gjithmonë e më shumë me atë të vitit të shkuar të DH-Albania.

Duket sikur firma italiane me ofertën më të shtrenjtë, Ircop s.p.a., ka ndjekur të njëjtën metodë si dhe DH-Albania.

Burime konfidenciale nga ARrSH konfirmojnë për ResPublica se ekuivalenca e licencës profesionale i lëshuar nga vendi i origjinës, realizuar për shoqërinë Ircop s.p.a. pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, është bërë fiks në datën 27.05.2019, që është edhe data e përcaktuar në Dokumentet Standade të Tenderit për zhvillimin e kësaj procedure në momentin e parë.

Kjo përplasje datë/orë ka sjellë edhe shtyrjen e procedurës së prokurimit për në datën 07.06.2019, pa asnjë arsye zyrtare.

Arsyeja vetëkuptohet pasi operatori i paracaktuar (Ircop s.pa.a.) nuk ishte pajisur me licencë. Procedura është shtyrë përsëri për në datën 17.06.2019, duke modifikuar pikërisht kërkesat që nuk plotësoheshin nga ky Operator Ekonomik, siç është objekti i veprimtarisë dhe kategoria e licencave.

Pra, kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar nga Autoriteti Kontraktor që afirmohet si i tillë me artifica dokumentare dhe ndihmë fatesh dhe proceduriale që provojnë shkeljen me të dyja këmbët të ligjit.(respublica)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re