Kreu i një komiteti sirian për personat e zhdukur tha se më shumë se 300,000 njerëz mund të jenë zhdukur gjatë dekadave të sundimit të vendit nga familja Assad dhe gjatë luftës civile.
Mohammed Reda Jalhi, kryetari i komitetit të formuar në maj, tha se hetimi, bazuar në mandatin e tij, fillon në vitin 1970, vitin kur Hafez al-Assad erdhi në pushtet, dhe vazhdon deri në ditët e sotme.
“Ne vlerësojmë se numri i njerëzve që janë zhdukur varion midis 120,000 dhe 300,000. Numri mund të jetë më i lartë”, i tha ai agjencisë zyrtare të lajmeve SANA.
Dhjetëra mijëra njerëz janë arrestuar ose zhdukur që kur shpërtheu lufta civile në vitin 2011, pas një shtypjeje të përgjakshme të protestave antiqeveritare nga presidenti i atëhershëm Bashar al-Assad, djali i Hafez-it. Bashar al-Assad u rrëzua nga pushteti në dhjetor 2024.
“Ne kemi një hartë që tregon më shumë se 63 varre masive në Siri”, tha Jalhi, pa dhënë hollësi. Ai shtoi se po bëhen përpjekje për të krijuar një bazë të dhënash të personave të zhdukur.
Mijëra të burgosur janë liruar që nga rënia e Asadit, por shumë sirianë janë ende duke kërkuar të afërmit e tyre të zhdukur. Në janar, presidentja e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Mirjana Spoliaricc, tha se do të ishte një “sfidë kolosale” të gjendeshin ata që janë zhdukur nga lufta civile. KNKK-ja ka regjistruar dhe po kërkon 43,000 persona, por ky numër ka të ngjarë të jetë shumë më i ulët se numri i përgjithshëm i të zhdukurve.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, më shumë se 100,000 njerëz vdiqën në paraburgim, nga torturat ose për shkak të kushteve të mjerueshme në burgjet siriane, gjatë luftës civile. /tesheshi.com/
