Skip to content

Një ushtri europiane? Putin mbështet Macron: e natyrshme dhe pozitive

Presideti Putin ka mbështetur idenë e Macron për krijimin e një ushtrie europiane, duke u futur kështu në debatin e nxehtë mes kreut të Elizesë dhe atij të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, i cili me forcë e kundërshton një ide të tillë.

“Qëllimi i Evropës për të formuar ushtrinë e saj nuk është vetëm e kuptueshme, por do të ishte dhe një gjë pozitive”, tha Putin.

“Evropa është një bashkim i fortë ekonomik dhe është e natyrshme që të dojë të jetë e pavarur dhe sovrane në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, tha kreu i Kremlinit.

Edhe vetë Marcon u shpreh së fundi se qëndrimi i Rusisë për këtë çështje ishte në përputhje me atë të Francës.

Macron ka përsëritur kohët e fundit qëllimin për të krijuar një forcë të kombinuar ushtarake të Bashkimit Evropian, duke theksuar se kjo është shumë e rëndësishme për sigurinë e Evropës.

Ai shtoi se BE duhet të jetë e pavarur nga aleatja e saj kryesore në anën tjetër të Atlantikut, gjë që shkaktoi një reagim të stuhishëm të Uashingtonit.

Presidenti i SHBA Donald Trump e quajti këtë ide “shumë ofenduese”.