Një varr masiv është gjetur në lagjen e re në Përmet, gjatë punimeve për shtrimin e një rruge atje. Pas zbulimit, firma ndërtuese ka njoftuar policinë, e cila ka rrethuar zonën.

Mbi ngjarjen kanë folur përfaqësues të shoqatës antikomuniste të të përndjekurve politikë, të cilët saktësuan se vendi ka shërbyer dikur për ekzekutimin e kundërshtarëve të regjimit komunist. Sipas kreut të shoqatës Nebil Çika, zona ka qenë hapësirë në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të kohës dhe se deri më tani janë gjetur 4 varre.

“Janë katër varre që ne dyshojmë se janë të të zhdukurve nga diktatura komuniste, të të pushkatuarve.

Kemi gjetur vetëm katër, në fakt dyshohet nga dëshmitarët dhe nga indiciet që të jetë një varrezë shumë e madhe. Pra, edhe ndërtesat që janë ndërtuar këtu, një pjesë e tyre dyshohet që të jenë bërë mbi varre. Në diktaturën komuniste këtu ka qenë një repart ushtarak, nga ato repartet famëkeqe të ndjekjes që ndiqnin armiqtë e komunizmit, diversantët, ata që arratiseshin dhe deri në vitin 1991 ka qenë qendra më e madhe e stërvitjes së ushtarëve të kufirit për të gjithë jugun e Shqipërisë.

Në bazë të të dhënave që kemi dhe nga arkivi i ministrisë së Brendshme, por edhe nga dëshmitarët, këto lloj repartesh të izoluara, në varësi të ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të sigurimit të shtetit përdoreshin dhe si vende ekzekutimi për kundërshtarët e regjimit, ata që dënoheshin me vdekje, ata që vriteshin ose kapeshin në kufi, varroseshin në këto vende. Jemi këtu për të denoncuar jo vetëm gjetjen e eshtrave. Dua të falënderoj firmën e ndërtimit të rrugës, e cila është treguar e përgjegjshme dhe e ka rrethuar vendin, ka lajmëruar policinë dhe prokurorinë, ndërkohë që shteti nuk ka marrë asnjë masë.”-tha Çika.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re