Një shtet i tërë po ndjek me ankth operacionin e vështirë të shpëtimit të një vogëlushi 5 vjeçar, i cili ra nga një lartësi prej 32 metrash në një pus. Fatmirësisht vogëlushi është gjallë dhe prej mëse dy ditësh po punohet për ta nxjerrë atë nga gropa ku ra.

Siç raporton BBC, duke iu referuar medias lokale në Marok, vogëlushi është identifikuar me emrin Rajan. I mituri besohet se po luante aty pranë dy ditë më parë, kur ka rënë në pus. Ekipet e shpëtimit e kanë vijuar punën pa ndaluar prej mëse dy ditësh dhe janë fare pranë shpëtimit të 5 vjeçarit.

Puna është vështirësuar ndjeshëm pasi e gjithë toka aty përbëhet nga një dhe i butë. Gërmimet kanë qenë tejet të kujdesshme për të evituar shembjet e kësisoj rrezikimin e jetës së 5 vjeçarit.

Për këtë arsye, punëtorët e ekipit të shpëtimit kanë hapur një gropë të madhe afër me gropën e vogël ku ka rënë 5 vjeçari dhe janë afro 3 metra larg tij. Puna është ndaluar disa herë pasi në zonën e gërmimit ka patur shembje të dheut, ndaj dhe procesi është tejet delikat.

“Shpëtimi i vogëlushit është shumë pranë”-tregoi një prej zyrtarëve në Marok të enjten mbrëma, teksa shtoi se “zemrat tona janë me familjen e 5 vjeçarit, lutemi që ai t’i bashkohet sa më shpejt prindërve”

Edhe pse vogëlushi ka rënë nga një lartësi e konsiderueshme, një kamera e dërguar poshtë vërtetoi se ai është gjallë.

5 vjeçarit i është dërguar një maskë me oksigjen, ushqim e ujë, derisa të vijë momenti që të mund të nxirret prej aty. Autoritetet besojnë se këtë të premte, 5 vjeçari do të mund të shpëtohet. Ndërkohë më poshtë, një video e postuar ku i gjithë operacioni po ndiqet live nga dhjetëra mijëra persona.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re