Pakistani pësoi një ndërprerje mbarëkombëtare për shkak të një defekti teknik që la pa energji pjesë të mëdha të vendit, përfshirë kryeqytetin Islamabad.

Në një deklaratë në Twitter, Ministria e Energjisë tha se frekuenca e sistemit të rrjetit kombëtar u ul në orën 7:34 të mëngjesit të së hënës.

“Një prishje e papritur e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike shkaktoi ndërprerje në vend”, tha Ministria në një postim në Twitter.

“Puna e mirëmbajtjes së sistemit po përparon me shpejtësi,” shtoi ajo.

Ministri i Energjisë Huram Dastagir tha për mediat lokale se sistemi i prodhimit të energjisë aktualisht është i mbyllur gjatë natës, pasi kërkesa në të gjithë vendin është më e ulët në dimër.

“Megjithatë, kur sistemet u ndezën mëngjesin e sotëm, në jug të vendit u vunë re ndryshime të frekuencës dhe luhatje të tensionit”, tha ai.

Ministri tha se mund të duhen të paktën 12 orë për të rikthyer energjinë elektrike në të gjithë vendin. Disa njerëz e konsiderojnë qeverinë e koalicionit të udhëhequr nga kryeministri Shebaz Sharif përgjegjëse për dështimin.

Pakistani përballet me rrezikun e mospagimit për shkak të pakësimit të shpejtë të rezervave valutore, përmbytjeve shkatërruese të vitit të kaluar dhe ngadalësimit të ekonomisë globale.

Muhammad Pervez, një 54-vjeçar, banor i qytetit më të madh të Pakistanit, Karaçi, tha më herët se babai i tij i sëmurë priti më shumë se një orë për t’u vizituar nga një mjek sepse një ndërprerje e energjisë mbylli sistemet elektronike në një klinikë private, raportoi Al Jazeera.

Kamran Arshad, drejtor menaxhues i një kompanie tekstili me bazë në Lahore, tha se ai duhej të mbyllte fabrikën e tij të hënën për shkak të ndërprerjes së energjisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re