Shkencëtarët po gjurmojnë një virus të ri, me prejardhje nga kafshët në Kinën lindore që ka infektuar të paktën disa dhjetëra njerëz.

Henipavirus Langya (LayV) u gjet në 35 pacientë në provincat Shandong dhe Henan. Shumë prej tyre kishin simptoma të tilla si ethe, lodhje dhe kollë. Ata mendohet se e kanë marrë virusin nga kafshët. Nuk ka asnjë provë deri më tani që LayV mund të transmetohet nga njeriu te njeriu.

Studiuesit e zbuluan virusin kryesisht te disa kafshë të vogla të ngjashme me minjtë, të njohura në shqip me emrin hundëgjatë.

Zbulimi u theksua në një letër të shkruar nga studiues nga Kina, Singapori dhe Australia dhe e botuar në New England Journal of Medicine këtë muaj.

Një nga studiuesit, Wang Linfa nga Shkolla Mjekësore Duke-NUS në Singapor, i tha Global Times të Kinës se rastet e LayV të gjetura deri më tani nuk kanë qenë fatale ose shumë serioze, kështu që “nuk ka nevojë për panik”.

Megjithatë, tha Wang, duhet vigjilencë pasi shumë viruse që ekzistojnë në natyrë kanë rezultate të paparashikueshme kur infektojnë njerëzit.

Shkencëtarët thanë se LayV u gjet në 27% të hundëgjatëve të testuar, duke sugjeruar se gjitarët e ngjashëm me urithët mund të jenë “rezervuarë natyralë” për virusin. Rreth 5% e qenve dhe 2% e dhive gjithashtu rezultuan pozitive për të.

Qendra e Tajvanit për Kontrollin e Sëmundjeve tha të dielën se po i kushtonte “vëmendje të madhe” zhvillimit të LayV. LayV është një lloj henipavirusi, një kategori virusesh zoonotike që mund të kalojnë nga kafshët te njerëzit. Viruset zoonotike janë shumë të zakonshme, por kanë tërhequr më shumë vëmendje që nga fillimi i pandemisë Covid.

Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se shkencëtarët vlerësojnë se tre në çdo katër sëmundje infektive të reja ose të shfaqura te njerëzit vijnë nga kafshët. Kombet e Bashkuara kishin paralajmëruar më parë se bota do të shohë më shumë sëmundje të tilla me rritjen e shfrytëzimit të kafshëve të egra dhe ndryshimeve klimatike. Disa viruse zoonotike mund të jenë potencialisht fatale për njerëzit. Këto përfshijnë virusin Nipah, i cili ka shpërthime periodike midis kafshëve dhe njerëzve në Azi, dhe virusin Hendra, i cili u zbulua për herë të parë te kuajt në Australi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re