Një automjet me targa sllovene dyshohet se ka vëzhguar viktimat e atentatit të 17 Korrikut 2022 në Fushë-Krujë, ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha. Pamjet e kamerave të sigurisë të administruara nga grupi hetimor në një rreze të gjerë kanë filmuar mjetin në fjalë ditën e ngjarjes së rëndë.

Mjeti dyshohet se është përdorur për të informuar autorët për të gjitha lëvizjet e tyre. Autoritetet shqiptare i kanë nisur një letërporosi autoriteteve sllovene, duke u kërkuar ndihmë për të zbuluar se kujt i përket makina, nëse është e vjedhur apo ka hyrë në territorin e vendit tonë në rrugë të ligjshme.

Ngjarja deri tani ka mbetur e pazbardhur dhe pa autorë. Brilant Martinaj ishte kushëri i Ervis Martinaj, i zhdukur prej 7 gushtit 2022.

Si ndodhi ngjarja?

Ekzekutimi i trefishtë ndodhi me 17 Korrik të vitit të kaluar në rrugën kryesore që lidh Fushë-Krujën me Tiranën, ku iu bë pritë makinës me të cilën po udhëtonin tre të rinjtë Besmir Hoxha, Brilant Martinaj dhe Dikler Vata. Makina e viktimave, sipas burimeve të grupit hetimor ka marrë flakë nga breshëria e plumbave.

Si pasojë Martinaj dhe Hoxha u shkrumbuan brenda mjetit ndërsa Vata kishte tentuar të lërgohej, por autorët e kthyen dhe e qëlluan duke e lënë të vdekur jashtë makinës. Shënjestra e atentatit sipas burimeve nga grupi hetimor ishte Brilant Martinaj, kushëri i parë me Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur prej 7 gushtit 2022.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re