Iraku shënoi përvjetorin e parë të vdekjes së gjeneralit iranian Qassem Soleimani dhe udhëheqësit të milicisë irakene Abu Mahdi al-Muhandis, të cilët u vranë në një sulm me dronë amerikanë pranë Bagdadit.

Mijëra njerëz iu bashkuan një marshimi të shtunën në mbrëmje, një imitim i një procesioni funerali, në autostradën që çon në aeroportin e Bagdadit ku ndodhi sulmi.

Autostrada ishte bllokuar nga makinat, ndërsa protestuesit mbanin postera të Soleimanit dhe al-Muhandisit, ndërsa çadra ishin ngritur në të dy anët e rrugës për të shërbyer pije dhe ushqim për njerëzit që marshonin.

Vendi ku ndodhi sulmi u kthye në një lloj altari të ndarë nga një litar i kuq me një fotografi të Soleimanit dhe al-Muhandisit në mes, ndërsa qirinjtë ishin ndezur përreth. Gjurmët e copave janë ende të dukshme në asfalt.

Soleimani drejtoi forcat Kuds, një njësi elite e Gardës Revolucionare, e cila zhvillonte operacione jashtë vendit.

Vrasja e tij ngriti tensione të mëdha në rajon dhe solli Shtetet e Bashkuara dhe Iranin në prag të luftës.

Marshimi në Bagdad vjen pasi ushtria irakiane njoftoi se ekspertët e eksplozivëve në marinë kishin çmontuar me sukses një minë të gjetur në një cisternë nafte në Gjirin Persik dy ditë më parë.

Autoritetet irakene thanë se ata kishin hapur një hetim. Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë.

Tensionet midis Teheranit dhe Uashingtonit u ngritën në prag të përvjetorit të parë të vdekjes së gjeneralit.

Në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të KB, Irani dënoi “aventurizmin ushtarak” të SHBA-së në Gji dhe Detin Oman, si dhe “informacion të rremë, akuza të pabaza dhe retorikë kërcënuese” kundër Teheranit.

Një ditë më parë, dy bombardues amerikanë B-52 të aftë për të mbajtur armë bërthamore, fluturuan kërcënueshëm mbi Gji.

Ministri i Jashtëm iranian Javad Zarif ka paralajmëruar se spiunë izraelitë po planifikojnë sulme ndaj pjesëtarëve të forcave amerikane në Irak, në mënyrë që të provokojnë një luftë midis SHBA dhe Iranit.

Në llogarinë e tij në Tëitter, Zarif paralajmëroi Presidentin e SHBA Donald Trump që të mos binte në këtë kurth.

Në të njëjtën kohë, një këshilltar ushtarak i Liderit Suprem të Iranit paralajmëroi Trump që të mos “e bënte Vitin e Ri një ditë zie për amerikanët”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re