Sot shënohet njëvjetori i Konferencës Ndërkombëtare të Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”, organizuar në Bruksel nga Komisioni Europian për të mbështetur Shqipërinë pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019.

Nga premtimi prej 1.15 miliardë euro, Komisioni Evropian, Shtetet Anëtare të BE-së dhe Banka Evropiane e Investimeve sollën 400 milionë euro për rimëkëmbjen e Shqipërisë, duke përfshirë 115 milionë euro në grante të drejtpërdrejta nga Komisioni Evropian.

Me rastin e përvjetorit, Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca deklaroi: “Që nga dita e parë, Bashkimi Evuropian ka treguar solidaritet të pashembullt me ​​Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

Ne premtuam të ndihmojmë dhe tani po e realizojmë duke investuar në sektorët e prekur rëndë të arsimit dhe kulturës. Asgjë nuk e mishëron qëndrueshmërinë dhe besimin tek e ardhmja më mirë sesa shkollat.

Objektet e reja arsimore po ndërtohen me përfshirjen e komuniteteve lokale, duke ndjekur standardet më të larta evropiane.

Ndërkohë, rigjallërimi i trashëgimisë kulturore do të sjellë përfitime për ekonominë vendore, do të diversifikojë turizmin dhe do të forcojë lidhjen midis Shqipërisë dhe historisë së saj evropiane.

Përgjigja e Bashkimit Evuropian dhe Shteteve Anëtare të tij gjatë gjithë vitit të kaluar ka treguar edhe një herë se BE-ja është donatori i parë dhe partneri më i besueshëm i Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re