Një vit pas vrasjes së 22-vjeçares Ilaria Sula, prindërit e saj vazhdojnë të kthehen pothuajse çdo fundjavë në vendin ku u gjet trupi i vajzës së tyre, në një greminë përgjatë rrugës malore në Capranica Prenestina, pranë në Romë. Banorët e zonës tashmë e quajnë atë segment “rruga e Ilarias”.
Prindërit e saj, Flamur dhe Gezime Sula, kujdesen për memorialin e ngritur në vendin ku u gjet vajza e tyre. Siç raportojnë mediat italiane, nëna pastron pllakën përkujtimore dhe fotografitë, ndërsa babai rregullon lulet përreth. Në mermerin e zi është gdhendur një mesazh prekës: “Do të të dërgoj një puthje me erën dhe e di që do ta ndjesh”.
Për nënën e Ilarias, një vit pa vajzën është vetëm boshllëk. E pikëlluar, ajo shprehet për Il Messaggero, se pas tragjedisë nuk janë më të njejtët.
- “Jeta jonë u ndal më 2 prill. Kur të marrin një vajzë, të marrin arsyen e jetës. Nuk jemi më njerëzit që ishim. Atë ditë na vranë edhe ne”, shprehet ajo.
Babai nga ana tjetër shprehet se e bija ëndërronte një të ardhme të ndritur.
- “Ajo studionte Statistikë dhe do të diplomohej në tetor. Donte të punonte në fushën financiare. Kishte shumë plane për jetën”, thotë Flamur Sula.
E pyetur se çfarë kujton nga ajo ditë kur mori vesh lajmin për të bijën, Gëzime Sula shprehet se kur mori vesh lajmin nuk po e besonte.
- “Kur na thanë se e kishin gjetur, nuk doja ta pranoja që ishte e vërtetë. I thashë Flamurit: ‘Ndoshta gabohen.’ Nuk ishte. Herën e fundit që folëm ishte më 25 mars. Po planifikonim fundjavën tonë në Terni së bashku. Orarin e trenit, takimin për te parukria dhe pastaj pazarin e pasdites, si nënë e bijë. I kisha blerë një pulovër disa ditë më parë, e kishim zgjedhur së bashku në telefon. Është ende në sirtarin e saj. Nuk doja ta jepja. Gjithçka mbeti ashtu siç ishte në dhomën e saj: dollapët, krevati, fotot, lodrat prej pelushi. Gjithçka ishte ashtu siç e la më 15 mars, ditën e fundit që fjeti atje. Ajo ishte hera e fundit që e pamë gjallë. Hera e fundit që munda ta përqafoja”, ka rrëfyer ajo mes lotësh.
Gëzime Sula reagoi ashpër edhe ndaj nënës së autorit të dyshuar, e cila në gjyq ka pranuar se e ndihmoi të birin të pastronte gjakun nga dhoma.
- “Ajo nuk është nënë. Nuk mund ta quash dikë të tillë nënë. Nuk ka falje, kurrë. As për të dhe as për të birin. Ata ecën mbi gjakun e vajzës sime, gjakun e gjakut tim. E pastruan dhe e hodhën tutje, njësoj siç e hodhën atë në shkurre. Sikur të ishte një objekt. Nuk uroj që askush të shohë një vajzë të katandiset në ato kushte”, tha ajo.
Procesi gjyqësor për vrasjen e 22-vjeçares po vazhdon dhe prindërit nuk kanë munguar në asnjë seancë.
- “Do të vazhdojmë të jemi aty. Nuk kërkoj hakmarrje, por drejtësi. Dua që Ilaria të mos kujtohet si ‘vajza e valixhes’, por për atë që ishte: e gëzuar, inteligjente dhe plot jetë”, thotë babai i saj.
Vrasja e Ilaria Sulës
Trupi i pajetë i studentes shqiptare u gjet në një valixhe të hedhur në humnerë në një zonë të pyllëzuar në Poli më 2 prill 2025. Shqiptarja u vra nga ish-i dashuri i saj filipinas, Mark Samson. Hetuesit arritën të zbulonin se në ditët pas zhdukjes së vajzës, 23-vjeçari filipinas kishte vazhduar të përdorte telefonin e saj dhe bënte postime nga profilet e Ilarias në mediat sociale për të fshirë dyshimet. Il Messaggero,
