U mbush viti nga 30 qershori, një gur kilometrik i politikës shqiptare që për herë të parë në 30 vjet pati si  protagonistë një pjesë të politikës që donte të mbante zgjedhjet e rregullta, të kalenduara, të dekretuara një pjesë tjetër nuk donte të mbaheshin këto zgjedhje.

Madje bëri gjithçka që këto zgjedhje të mos mbaheshin. Që nga djegia e mandateve parlamentare të opozitës, protestat e dhunshme para kryeministrisë dhe Parlamentit, ku si refren patën sulmin për të hyrë në selinë e qeverisë dhe përgjigjen e përditshme për disa muaj me gaz lotsjellës, e në fund një dekret të Ilir Metës që ç’dekretoi 30 qershorin.

Nisi më pas gara e bastet në panele e opinionin publik, se a do të ketë zgjedhje lokale pa opozitën apo jo.

Disa u betuan që jo vetëm s’do ketë, por vendosën edhe kushte e premtime të mëdha për largime apo edhe baste bizarre.

Në fund, zgjedhjet u bënë. Madje të certifikuara nga OSBE-ODIHR që i vëzhgoi ato dhe nga një deklaratë e Departamentit Amerikan të Shtetit që do të njihte zgjedhjet edhe pse nuk mori pjesë PD, LSI dhe disa aleatë të tyre.

E si rezultat, PS mori të gjithë kryebashkiakët e vendit; 61 të tillë. Një pushtet që shtoi edhe më shumë fuqinë politike të PS-së, e cila megjithëse dukej shumë e fortë, nuk ishte edhe aq, pasi kishte problemin ngaqë opozita i bojkotoi zgjedhjet.

Si përfundim, mazhoranca qeverisëse mori edhe krerët e bashkive në bastionet e PD-së si Shkodra e Kukësi, por edhe në njësi vendore që i kishte pasur opozita.

Mirëpo, jo çdo gjë shkoi fjollë, pasi ra menjëherë një nga emrat që ishte “fryrë” më shumë nga PS, ai i kreut të bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri, i cili doli me problem në dekriminalizim. Dhe më e keqja, Valdrini e mohoi fillimisht atë.

Rënia e Pjetrit solli një valë denoncimesh nga ana e PD-së për një numër kryebashkiakësh të tjerë, i dyti në radhë ishte Agim Kajmaku i Vorës, edhe ai e mohoi, por më pas u zhduk pa lënë gjurmë duke i ikur prokurorisë dhe policisë. Është i pandehur.

PD çoi në prokurori më pas disa emra të tjerë siç ishin kreu i bashkisë Vau Dejës, kreu Bashkisë Mallakastër, kreu i Bashkisë Librazhd dhe kreu i Bashkisë Mat.

Por pas hetimeve të Prokurorisë, KQZ vendosi t’i lejojnë të jenë në detyrë. Në hetim vijon të jetë mandati i kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj. Ndërsa për drejtuesin vendor të Vaut të Dejës, Mark Babani pavarësisht denoncimit të demokratëve asnjëherë organi i akuzës nuk nisi një hetim të plotë.

Në kulmin e krizës së përballimit të pasojave të tërmetit të 26 nëntorit, kryetarja e Bashkisë Durrës, Valbona Sako dha dorëheqjen, pasi shkaktoi polemika, si pasojë e një deklarate në lidhje me viktimat.

Ikja e Sakos solli në Durrës një riafrim të Vangjush Dakos dhe grupit të tij, çka pasoi me përplasje të mëdha publike.

Pak kohë më pas, Haxhi Memolla, kreu i bashkisë së Rrogozhinës ndërroi jetë si pasojë e një infarkti. E kështu është plotësuar një ansambël problematik vakuumi në pushtetin lokal, i cili nuk është adresuar ende nga institucionet.

Të gjithë presin Gjykatën Kushtetuese, e cila do të duhet të interpretojë si zgjedhjet e 30 qershorit, ashtu edhe dekretin e Ilir Metës për t’i ç’dekretuar, që nuk u përfill nga administrate zgjedhore, por edhe datën e zgjedhjeve që dekretoi presidenti, pra 13 tetorin ku nuk ndodhi asgjë.

E gjithë kjo panoramë ofron një anomali të madhe shtetërore, por edhe ofron një mundësi për një marrëveshje siç ndodhi për reformën zgjedhore. Ka zëra prej kohësh që bëhet fjalë për një përsëritje të zgjedhjeve lokale, opozita i kërkon në gjithë vendin, e mazhoranca natyrisht nuk e pranon.

Atëherë cila është zgjidhja: votimi në një datë me parlamentaret duket nuk është i mundshëm, madje nuk është diskutuar në Këshillin Politik. E në fakt, tek politika qëndron problem. Opozita do të duhet të japë një platformë të sajën sesi synon të zgjidhë këtë ngërç, zgjidhje që natyrisht vjen nga ballafaqimi elektoral qoftë edhe i pjesshëm në bashki të rëndësishme të vendit, ose edhe në të gjitha.

Por Lulzim Basha e LSI deri tani nuk e kanë adresuar këtë problem. Ka gjasa që do të ishte më pozitive për opozitën, nëse jo vetëm ta adresonte por të bënte një betejë për të marrë bashkitë që janë në lojë. Mund të shërbente edhe si provë gjenerale përpara atyre parlamentare.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re