Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka qenë sot i pranishëm në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ku ka paraqitur disa nga arritjet e institucionit, në 7 vite të drejtimit të tij.
Sejko, i cili është mandatuar dhe pritet të votohet për një mandat të dytë në Kuvend, tha se qëllimi i tij është përfundimi i modernizimit të Bankës së Shqipërisë, duke e vendosur atë në standarde të ngjashme me ato të bankave qendrore të Eurozonës.
Sejko tha se një nga ccështjet më kryesore ku ka ndikim Banka e Shqipërisë është ajo për mbajtjen e inflacionit në nivele të qëndrueshme, pavarësisht lëkundjeve në treg.
Guvernatori tha se ka një ulje të ndjeshme të kredive të këqija, ndërsa shtoi se suksese të prekshme ka pasur dhe në sistemin e pagesave, që po operon me ligje dhe standarde të BE-së.
Guvernatori foli dhe për serinë e re të kartmonedhave që janë hedhur në treg, që sipas tij u përmbyll me nxjerrjen e 500 dhe 2000 lekëve, pak javë më parë.
“I nderuar zoti kryetar, zonja dhe zotërinj deputetë, ju falenderoj për këtë dëgjesë publike, për rinovimin e kandidaturës sime, ndihem i nderuar nga vlerësimi që më ka dhënë Kuvendi. Kandidimi im motivohet nga një shtysë e brendshme, për të transformuar Bankën e Shqipërisë në konturet e një Banke Qendore Moderne.
Për të thënë dy fjalë, do të doja që tiu falenderoja për prezantimin korrekt, unë kam filluar karrierën time në 1992, pranë Bankës Kombëtare Tregtare, asokohe ka qenë shtetërore, nga viti 93-98 kam qenë pranë Bankës së Shqipërisë, kam punuar disa vite në sektorin privat. Prej 7 vitesh jam në pozicionin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, është një nga pozicionet më të larta publike që më është dhënë.
Në pamundësi kohore për të bërë një ekspoze të plotë të punës që është bërë në këto 7 vite, më lejoni që të fokusohem në disa arritje më kryesore:
Banka e Shqipërisë ushtron në mënyrë ekskluzive dhe të pavarur për të ruajtur inflacionin. Nuk pësoi ndryshime të mëdha pavarësisht pandemisë, dhe tërmetit. Inflacioni luhatet në shifrat e 1.8 %, ka një trend rritës të kreditimit në lekë, dhe një stabilizim të monedhës vendase në kursin e këmbimit. Ka zbritur raporti i kredive me probleme në 5.4%, nga 25% që ka qenë në vitin 2014“, tha Sejko.
Sa i takon mandatit të dytë, Sejko tha se prioritet i prioriteteve do të jetë mbajtja e qëndrueshme e inflacionit, pavarësisht rritjes së çmimeve në tregjet botërore.
…
/faxweb
