Përpara se të mbërrinte në Beograd, i dërguari special i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha se “në aspektin ekonomik dhe politik, shoqëria serbe është më afër Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian sesa Rusisë” dhe se Serbia “nuk mund të ulet në dy karrige”.

“Mbështetja jonë financiare dhe investimet janë më të mëdha. Ne jemi të interesuar edhe për zhvillimin ekonomik dhe social të këtij vendi. Kuptohet që fondet që japim dhe angazhimi ynë në vendet kandidate janë më të mëdha se në vendet që janë p.sh. pjesë e Partneritetit Lindor”, ka thënë ai për gazetën beogradase Danas.

Ai theksoi se “është mjaft e qartë se pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, pozicioni pro-rus është i papajtueshëm me statusin e kandidatit”.

“Nuk mund të ulesh në dy karrige, të cilat janë milje larg njëra-tjetrës. Përveç kësaj, mendoj se Serbia e di shumë mirë se është në interesin e saj që sa më shpejt të largohet nga të gjitha varësitë prej regjimit të paskrupullt”, tha Sarrazin.

“Sigurisht që ka edhe pasoja në vendimet e subjekteve ekonomike nëse vendi po ndjek në mënyrë të pakthyeshme një kurs europian apo jo”, paralajmëroi ai.

“Është vetëm një çështje e vlerësimit të rrezikut dhe përfitimit. Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, biznesmenët pyesin nëse Serbia, si destinacion investimi, i është bashkuar qëndrimeve evropiane dhe nëse do ta bëjë këtë në të ardhmen. Prandaj është thelbësore që Serbia të mbajë qëndrimin e saj tani”, tha Sarrazin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re