Dymbëdhjetë deputetë të PS-së kërkojnë t’i hapin rrugë ndërtimeve brenda Zonave të Mbrojtura nëpërmjet një ligji të ri që sipas ekspertëve mjedisorë rrezikon shkatërrimin e tyre dhe bie në kundërshtim me direktivat e BE.

Një projektligj i propozuar nga 12 deputetë të Partisë Socialiste parashikon ndryshimin e ligjit aktual për “Zonat e Mbrojtura” duke i hapur rrugë zhvillimit të tyre për investime me karakter ekonomik dhe lënien e një pjese të tyre në menaxhim të bashkive.

Propozimet parashikojnë heqjen e neneve që përbëjnë thelbin e ligjit aktual, ku përjashtohen mundësitë e shfrytëzimit me “aktivitete intensive nga ana e njeriut” dhe ndryshim i formës së menaxhimit të tyre.

“Në çdo rast, Bashkia përkatëse administron jo me pak se 20% e siperfaqeve të zonave te mbrojtura qe jane ne territorin e kesaj bashkie”- propozon drafti.

Një tjetër nen që në ligjin aktual është kategorik ndalues për disa procese shfrytëzimi të zonave të mbrojtura, formulohet në mënyrë të tillë që të lejojë ndërhyrje të rëndësishme infrastrukturore dhe energjetike, si zona urbane, rekreacioni, infrastrukture rrugore, hekurudha, infrastrukture energjetike, përfshirë impiantet për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme dhe infrastrukturës së naftës dhe gazit.

Nisma argumentohet si nevojë për të zgjidhur “ngërçet që ekzistojnë në realitet, si mbivendosja e “Zonave me Përparësi Zhvillimi” me “Zonat e Mbrojtura”, duke i parë ato si mundësi zhvillimi ekonomiko-social, dhe heqjen e rregullave strikte për mbrojtjen e tyre.

Në relacionin shoqërues thuhet se ligji aktual i hartuar në vitin 2017 ka krijuar problematika pasi është “një ligj strikt mbrotjës” për 21.5% të gjithë territorit dhe anashkalon disa faktorë të cilët kërkojnë adresim.

“Qëllimi i ketij projektiligji është gjithashtu evidentimi i parimeve dhe politikave të reja që duhet të zbatohen në zonat e mbrojtura si një evolim i këtyre koncepteve të kryera nga organizmat ndërkombëtarë, rezultat i realiteteve të reja dhe i nevojës për një zhvillim të qëndrueshëm”, shkruhet në dokument.

Sipas nismëtarëve ndryshimet kanë ardhur në “një moment pjekurie intelektuale të shoqërisë” dhe përcaktojnë rregulla të qarta për të siguruar ofrimin e një pakete turistike të larmishme, mundësi zhvillimi ekonomie për komunitetet vendore.

Pavarësisht argumenteve të paraqitura në relacion deputetët që kanë firmosur propozimin janë të paqartë se çfarë duan të arrijnë me ndryshimet në ligj dhe thonë se drafti u hartua bazuar në një kërkesë nga ana bashkive.

Deputeti Fadil Nasufi, i pari në listën e firmëtarëve, pretendoi se drafti nuk ishte hartuar akoma në një telefonatë me BIRN dhe se ai kishte kërkuar të ngrihej një grup pune për shqyrtuar kërkesën që shoqata e bashkive kishte depozituar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese dhe Tregëtisë.

“Propozimi është nismë deputetesh e iniciuar nga disa propozime që kanë bërë disa kryetarë bashkie dhe jemi në fazën e parë të njohjes me propozimin e bërë dhe ngritjen e grupit të deputetëve që do merret me këtë çështje”, u përgjigj Nasufi edhe pasi u vu në dijeni me projekt-ligjin e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit.

I pyetur nëse dokumenti ishte hartuar nga bashkitë apo nga deputetët firmëtarë ai përsëri këmbënguli se “nuk është hartuar”.

Deputeti Fadil Nasufi duke hyrë në Asamblene Kombëtare e Partisë Socialiste. | Foto: LSA

Një tjetër firmëtar, deputeti i Lezhës, Eduart Ndreca, i tha BIRN-it se nuk mund të jepte një koment mbi thelbin e propozimeve që parashikonte ky projektligj në telefon, por këmbënguli se ai “ka ardhur si indicje nga bashkitë”.

Ndreca shtoi se drafti do të diskutohej me të gjitha grupet e interesit, në veçanti me organizatat e mbrojtjes së mjedisit.

“Nëse gjatë diskutimeve shoh që aktivistët kanë të drejtë në kundërshtimet e tyre, unë do të bëhem zëri i tyre mbështetës në komisionin e ligjeve”, tha ai.

Për ekspertët dhe aktivistët mjedisorë ndryshimet do të lejojnë shkatërrimin e mëtejshmëm të natyrës dhe biodiversitetit, i cili dhe me ligjin në fuqi është rrezikuar nga investimet strategjike dhe ndërtimi i aeroporit të Vlorës në Zonat e Mbrojtura.

Nihat Dragoti, ekspert i zonave të mbrojtura pranë Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA), i tha BIRN-it, se  formulimet ligjore në draftin e ri rrisin mundësisë e interpretimit për ndërhyrje në këto territore me zhvillime që ndryshojnë vlerat natyrore të tyre.

“Kemi të bëjmë me ndryshimin e frymës së ligjit, por edhe mënyrës së funksionimit të një zone të mbrojtur”- tha ai, duke e cilësuar draftin “një katrahurë” që vë theksin tek zhvillimit social-ekonomik dhe kundërshton direktivat e BE-së e organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës.

Ai e quan “një zhvillim skandaloz”, dhe këmbëngul se nuk mund të lejohen hotele luksoze ose tubacione gazi e nafte, në zona ku ligji aktual lejonte vetëm zhvillim tradicional ekonomik, shkencor dhe edukativ.

“Lejon prekjen e zonave të mbrojtura nga investimet, por kjo është e paligjshme sepse ato kanë një rëndësi shumë të madhe, ka një arsye që janë shpallur Zona të Mbrojtura, për të mbrojtur natyrën, biodiversitetin e tyre”- tha ai duke komentuar ndryshimet e propozuara.

“Pse? Apo se është interesi i dikujt?”, pyet Dragoti me revoltë duke apeluar që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit të reagojë për të mos lejuar kalimin e ndryshimeve.

Ministrja Mirela Kumbaro nuk iu përgjigj një kërkese për koment nëse kishte dijeni për propozimin dhe çfarë qëndrimi do të mbante kjo ministri.

Edhe Taulant Bino, drejtues i shoqatës së Orintologjisë,  i cilësoi ndryshimet e propozuara në kundërshtim me frymën e vetë ligjit dhe me qëllim kryesor, sipas tij, “që t’i kthjejnë zonat e mbrojtura në zona të pambrojtura, ku të lejohet çdo lloj aktiviteti ekonomik i paqëndrueshëm dhe shkatërrues për ZM-në, habitatet dhe speciet që ajo duhet të mbrojë”.

“Ndërhyrjet nuk respektojnë asnjë proces planifikimi dhe asnjë vendimmarrje të mëparshme planifikuese përfshirë miratimin e kufijve dhe zonimin nga KKT dhe Këshilli i Ministrave, planin kombëtar vendor, planin e përgjithshëm vendor dhe planin e menaxhimit të zonës së mbrojtur”, komentoi Bino për BIRN.

Duke analizuar formulimet e projektligjit të ri Bino veçoi si ndërhyrjet më flagrante dhe më shkatërrimtare për Zonat e mbrojtura propozimet për ndryshim të nenit 8 dhe 6.

“Ndërhyrja në nenin 8 kërkon që bashkia të menaxhojë jo më pak se 20% të territorit të çdo ZM-je. Kjo krijon precedentin e rrezikshëm të disa trupave menaxhuese për të njëjtën ZM, krijon konflikt institucional dhe çon në shkatërrimin e ZM-së sipas parimit ‘dy mami, mbysin një fëmi’”, tha Bino.

Taulant Bino, drejtues i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare, AOS. Foto: BIRN.

Ndërsa propozimi për nenin 16, që prek Parqet Kombëtare, një nga kategoritë me mbrojtjen më të lartë argumenton se në Parqet Kombëtare mund të lejohen projekte të miratuara nga KKT, të propozuara nga Ministritë përgjegjëse ose bashkitë përkatëse ku të evidentohet rëndësia kombëtare e investimit dhe që investimi zbaton/respekton kriteret më të larta të mbrojtjes së mjedisit dhe ndikimit më të ulët në natyrë dhe biodiversitet.

“Kjo ndërhyrje legjitimon çdo lloj aktiviteti/investimi shkatërrues që do të shitet si me rëndësi kombëtare”- përfundon Bino.

Sipas ekspertëve abuzime ka pasur edhe me ligjin aktual, i cili pavarësisht se ishte i mirë në letër ishte anashkaluar për të lejuar investimeve strategjike apo ndërtimin e aeroportit të Vlorës afër lagunës së Nartës, një zonë e mbrojtur me rëndësi të veçantë për migrimin ndërkombëtar të shpendëve në Shqipëri.

Sipas Dragotit, çdo ndryshim i ri duhej të bëhej për të forcuar ligjin që kemi, i cili ishte hartuar në përputhje me legjislacionin europian.

“Nëse ky projekt miratohet bie në kundërshtim me gjithë direktivat e BE” – theksoi ai.

Në dy vitet e fundit nëpërmjet vendimeve të kontestuara Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar të paktën 5 projekte brenda territorit të Zonave të Mbrojtura ose pranë Monumenteve  Natyrore, duke anashkaluar shqetësimet e Agjencisë Kombëtare për Zonat e Mbrojtura.

Aktivistët kanë apeluar se këto investime rrezikojnë dëmtimin pa kthim të pasurive natyrore kombëtare dhe ndërkombëtare dhe duke kërcënuar speciet e rralla që i popullojnë ato./BIRN

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re