Përfolja se në Shqipëri do pranohet një masë e madhe refugjatësh të ardhur nga Lindja, si një formë e stopimit të tyre në Ballkan për të mos vijuar më tej në Europë, për çka kjo e fundit ka kushtëzuar dhe çeljen e negociatava me Tiranën, ka sjellë përplasjet e para edhe brenda vet mazhorancës.

Ka qenë deputeti Erjon Braçe ai që ka reaguar ndaj një komenti në facebook, të kolegut të tij socialist, ministrit të Diasporës, Pandeli Majko. Ku i fundit, e ka përkthyer plojën e refugjatëve fillimisht si një komplot ndaj Perëndimit, duke gjykuar më pas se si parim moral, shqiptari e mban të hapur derën për çdokënd.

“Nëse dikush, nuk di të merret me diktatorin e Sirisë, padyshim që nuk kupton se ky individ dhe aleatët e tij, Rusia dhe Irani, po përdorin refugjatët sirianë si “bombë njerëzore”. Qëllimi është për të shkatërruar strukturën europiane si ngrehinën kryesore ndërkombëtare e cila mbart vlerat që ata nuk i kanë. Eshtë një krim cinik dhe antinjerëzor që si teknologji ka filluar me Luftën e Jugosllavisë. Arma synon panikun….”.

“Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Kështu shkruhet në rregullat e lashta të trajtimit të të huajve që trokasin në derën e shtëpisë së shqiptarit. Shqiptarët janë populli më miqësor me të huajt dhe që i mbron ata me vullnet e pa kërkesë nga të tjerët”, shkruan Majko.

Por kjo për Braçen është e papranueshme. Duke komentuar dhe sjelljen e opozitës, të cilën e konsideron fashiste, deputeti socialist i është vërvitur me pas bashkëpartiakut Majko, pa emër por i nënkuptuar.

“Dje, deputeti llogarikerkues, mbajti nje fjalim fashist, kunder “njerezve te Sulltanit”, referuar refugjateve siriane,te cilit sipas tij, partise se djathte te Lulzim Bashes dhe partise se majte te Monika Kryemadhit, duhet te trajtohen si terroriste dhe nuk duhet te mirepriten kerkund.

Natyrisht,ketyre po ju foli Sali Berisha hidhen me koke dhe tejkalojne llogjiken njerezore, duke rene ne ligjerime FASHISTE!

Une nuk e di nese ne kete vend do ndertohen kampe per te pritur refugjate siriane qe mbyten deteve te Mesdheut.

Por,jam kunder ketij fashizmi te ri qe po shfaqet po aq dhunshem sa i vjetri ne kete vend.

Eshte i ndyre dhe kurre perfaqesues per vendin tone,prekur gjeresisht nga fenomeni i emigrimit per njemije e nje arsye.

Ky lloj fashizmi qe eshte djathtas, majtas dhe,per fat te keq ka kompleksuar ne palce qeverine- deri aty sa dikush citohet te kete kundershtuar me nje cinizem te pashoq ne raport me vete detyren qe ka, duhet te marre vemendje,duhet te marre pergjigje.

Menjehere madje”, shkruan Braçe.

Dhe ja se cilave frazave të Majkos, u referohet ai për këtë lloj reagimi:

“Si njohës modest i krizave të tilla humanitare e vlerësoj të pavend përhapjen e lajmeve të tilla të cilat mund të shkaktojnë panik në vendin më miqësor me të huajt sic është Shqipëria. Ajo nuk është një “epruvetë” ku interesat politike dhe paaftësitë menaxhuese të të tjerëve të gjejnë justifikim me “eksperimente” të tilla.

Grumbullimimet e refugjatëve në sasi sfiduese për vendasit do të krijojë situatë shpërthyese për të cilën duhet të bëhen mirë llogaritë.

Shqipëria ka gatishmëri për të huajt por askush nuk mund të bëjë “humor” nisur nga nevojat e saj. Në se ka ndonjë politikan europian i cili diskuton “ftesën” për të hapur negociatat e integrimit europian për Shqipërinë me pranimin e ndërtimit të kampeve të refugjatëve atëherë kjo “ftesë” më mirë të mos vijë… Pasi ajo nuk do të ishte ftesë, e aq më pak ftesë europiane.Jam i bindur, që Brukseli nuk mund ti kërkojë një vendi dhe populli, ndryshimin e strukturës së vet sociale duke vënë në diskutim sigurinë e tij kombëtare dhe më gjerë.

Të huajt që të vinë në derën e shtëpisë për ndihmë, janë miq! Ata që ti sjellin… janë miq të refuzuar të dikujt tjetër. Ky është përkthimi që shqiptarët do ti bëjnë një ftese për kampe refugjatësh në Shqipëri”, ka shkruar Majko.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re