Edhe pse pjesa më e madhe e banorëve janë të besimit të krishterë, kishat në ditën e Pashkëve në Lezhë mbeten të zbrazura. Kjo situatë nuk është vetëm në vendin tonë, kriza e krijuar nga koronavirusi ka bërë që shumica e shteteve në botë t’i kalojnë Pashkët në izolim.

Duke folur nga Lezha, gazetari i Abc News Gjergj Figuri raporton se dyert e kishave në qytet janë të mbyllura, ndërsa nga jashtë dëgjohet mesha e shenjtë.

Sipas tij, si rrallë ndonjë herë për këtë festë, në kishë sot ndodhen vetëm meshtarët dhe motrat që shërbejnë Dioqezën e Lezhës.

Duke theksuar se kjo është një situatë e paprecedentë, gazetari shton:

“Edhe mbrëmë në mesnatë ka pasur, po themi, dhjetëra besimtarë që kanë guxuar të dalin për të kremtuar meshën e shenjtë, por që kanë qëndruar jashtë kangjellave me qirinjtë ndezur si një mënyrë lutje dhe shprese që sigurisht të marrin fund këto ditë të vështira që po kalojmë të gjithë së bashku.”

Ndërsa sa i përket situatës së koronavirusit, gazetari shton se për fat të mirë, në Lezhë nuk ka pasur raste të reja të të infektuarish.

“Fatmirësisht Lezha vazhdon të jetë në statusin e një jave më parë kur kishin 14 të infektuar dhe prej ditësh tashmë nuk ka asnjë rast të ri…Kjo tregon se masat që qytetarët vetë kanë marrë duke u ndërgjegjësuar për të mbajtur distancën, për të respektuar rregullat dhe për të qëndruar në shtëpi duket se kanë dhënë efekt…Fatmirësisht edhe analizat e kryera gjatë këtyre ditëve për personat e dyshuar kanë rezultuar negativë,” shprehet ai. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re