150 fermerë të fshatit Suk 2 në bashkinë e Roskovecit kanë protestuar sot për shkak se fara e domates që kanë blerë në firmën “Alba Agro Ozgan” ka rezultuar e dështuar.

Dhjetra sera që janë mbjellë me farën e domates që është marrë në këtë kompani, nuk kanë dhënë prodhim, dhe më së shumti bimët janë pa kokrra.

Shumica e fermerëve thonë se i kanë bërë serat me kredi, dhe kërkojnë dëmshpërblim nga Ministria e Bujqësisë, pasi humbja ekonomike që kanë pësuar është e papërballueshme.

Ata kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të shtetit, pasi firma në fjalë nuk mban asnjë lloj përgjegjësie për farën e dështuar që iu ka dhënë, ndërkohë që prodhimi nuk del për të mbuluar as kostot e punës dhe të pesticideve të përdorura.

“Dolëm piramidë, këtë problem duhet ta zgjidhë ai që ka sjellë farën dhe fidanin”, shprehet një prej fermerëve.

Një prej fermerëve kërcënon me vetëvrasje, duke kujtuar rastin e një bashkëfshatari të tij që i dha fund jetës pas moshlyerjes së kredisë që kishte marrë, pikërisht për ngritjen e serave me perime.

‘Jam fermer nga Suku, kemi mbjellë një farë që ka dalë skandal, urdhëroni shikoni diferencën mes farave, Ozgani na ka dalë skandal, urdhëro shiheni farat. Ku është shteti këtu të ngrejë dorën, ku është shteti, që do taksat tona. Njëri e vrau veten me pistoletë, po ne çfarë do të bëjmë, të vëmë dhe ne pistoletën te koka. Pse të iki unë sërish në Greqi, dua të punoj tokën time, ku është shteti këtu, që ti shohë këto”, thotë fermeri i irrituar.

Deri sot fermerët nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Bujqësisë, pavarësisht se prodhimi i serave është i vetmi burim për të ardhurat e tyre. Ata thonë se shteti duhet të ushtrojë kontroll mbi këto firma që merren me farat dhe fidanët, pasi për shkak të cilësisë së keqe, janë të detyruar që të zhyten në borxhe, në mënyrë që të shlyejnë humbjet prej serave.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re