Dash Kupa, njëri nga të akuzuarit dhe arrestuarit për 3 grabitjet e parave të Rinasit të ndodhura në periudhën 2015-2017, ka folur për herë të parë për këto ngjarje.
Në një intervistë me gazetarin Spartak Koka në emisionin Uniko në Klan Plus, Dash Kupa pretendon se procecet gjyqësore ndaj tij po dështojnë për shkak se ai thotë që ka një konflikt interesi me një prej gjyqtarëve që po gjykojnë këtë dosje.
Dash Kupa thotë se për të gjithë hetimin ndaj tij dhe personave të tjerë të akuzuar po bëhen presione me qëllim mbylljen e kësaj çështje.
Ku po vuani dënimin aktualisht?
Dash Kupa: Tani jam në burgun e Fushë-Krujës, jam transferuar që në Tetor nga 313-ta dhe tani e vazhdoj vuajtjen në paraburgimin e Fushë-Krujës.
Çfarë po ndodh në Gjykatën e Apelit dhe përse po dështojnë proceset njëri pas tjetrit?
Dash Kupa: Gazetarët në datën 24 folën disa gjëra, shumë gjëra. Thanë që po i shtyjnë këto seanca për shkak të ndërprerjes së afateve që të mbarojnë afatet dhe të dalim. Kjo s’është aspak e vërtetë dhe atë e dinë shumë mirë ata gazetarë. Shumë nga ata gazetarë e dinë çështjen shumë mirë. Nuk është aspak e vërtetë sepse ne çdo seancë na priten afatet e paraburgimit. Dhe ne sikur 10 vjet të jemi kështu, nuk mbaron afati.
Po përse po dështojnë seancat?
Dash Kupa: Unë kam dhe një konflikt interesi me një nga gjyqtarët aty, që është Sokol Binaj, relatori.
Po përse keni konflikt?
Dash Kupa: Sepse unë i kam bërë një kallëzim Sokolit në SPAK. Sokoli ka marrë në telefon avokatin dhe i ka bërë presion, se kjo është e vërtetuar pavarësisht se SPAK nuk e ka zgjatur çështjen për arsyet e veta, dhe i ka thënë ‘të bëhet mbrojtja patjetër, sikur dhe 3 rreshta dhe të mbarojmë gjyqin’.
Keni prova ju për këtë?
Dash Kupa: Ka ushtruar aq shumë presion te avokati, ka vënë gjoba maksimale që asnjë njeri nuk kemi dëgjuar që ka vënë kështu gjobash, 500 mijë-1 milion. Është ushtruar presion i paparë te avokati që të mbarohet gjyqi patjetër.
Po përse po dështon aktualisht?
Dash Kupa: Ja për këtë arsye. Se unë i kam bërë një kallëzim dhe është drejtpërdrejt konflikt interesi. Kam pasur edhe një debat shumë të rëndë në sallë të gjyqit me të, është një përplasje shumë e madhe. Gjyqi nuk po dështon nga ne, dështon nga ai person që është relator. Unë s’e kuptoj pse nuk tërhiqet, ka gjykatës sa të duash, le të vijë dikush tjetër dhe të vazhdojmë seancat tona.
Të dalë e vërteta, të shikohen gjërat siç është për të parë. Sepse ai nga mënyra e sjelljes duket se e ka marrë vendimin. E ka marrë vendimin në tavolinë dhe kjo është e vërtetuar. Në SPAK e kam bërë kallëzimin dhe ajo telefonatë vërtetohet. Po SPAK ka marrë në pyetje avokatin dhe e ka pyetur a është bërë kjo telefonatë. Normalisht avokatja ka thënë jo nuk është bërë sepse po t’i thoshte se është bërë do t’ia priste bukën e gojës.
Cilat janë provat që ju i paraqisni SPAK-ut ndaj gjyqtarit?
Dash Kupa: Unë i kam thënë SPAK-ut të merren telefonatat e asaj avokates, të merren dhe të shikohen është bërë thirrje nga ky person. Nuk është vetëm ajo avokatja, janë shumë avokatë që u është bërë presion, por unë po flas për atë që e di të sigurt dhe është ushtruar presion i madh, dhe SPAK thjesht e ka marrë në pyetje dhe kaq, mbaroi çështja.
Ju kërkoni ndryshimin e trupës gjyqësore në bllok apo të njërit prej gjyqtarëve?
Dash Kupa: Unë e kam konfliktin drejtpërdrejt me Sokol Binajn. Është bërë dhe një debat shumë i ashpër në sallë të gjyqit. Unë nuk kam pse të bëj seancë me atë.
A e keni kërcënuar ju gjyqtarin Sokol Binaj?
Dash Kupa: Nuk e kam kërcënuar, mund të kem thënë ndonjë fjalë ofenduese siç na ka provokuar. Ai na ka provokuar… Po të shikosh seancën dhe të marrësh dëgjimet, është sikur po bëjmë gjyq në kohën e komunizmit. As nuk konsultohet me avokat, ka një sjellje sikur të jemi në komunizëm. Nga gjithë ky presion, kaq vite në burg, gjithë kjo padrejtësi, stresi, normal se dhe ne do nxjerrim ndonjë fjalë.
/faxweb
