Avni Arifi, shefi i dialogut teknik me Serbinë nga qeveria e Kosovës, tha se patjetër që do të bisedohet me Beogradin në lidhje me kompensimin e dëmeve të luftës, të pagjeturit, si dhe hisja në pasurinë e ish-Jugosllavisë. Por të gjitha këto sipas tij, vetëm kur të zbatohen në terren marrëveshjet e arritura.

“Ne konsiderojmë se duhet të implementohen marrëveshjet ekzistuese, ne nuk po synojmë hapjen e temave të reja. Ky proces që unë e kam gjetur duhet të përfundojë, duhet t’i përfundojmë këto marrëveshje dhe pastaj faktorët politikë të Kosovës, partitë parlamentare, Qeveria, duhet të mendojnë, të qartësojnë çfarë procesi të ri  duhet të fillojnë për implementimin e marrëveshjeve që duhet të pasojnë”, tha Arifi për Ekonomia Online.

Nga ana tjetër, Arifi tha se pala serbe refuzon implementimin e disa marrëveshjeve që janë shumë të rëndësishme për Kosovën, si ajo për energjinë, menaxhimin e integruar të kufijve, njohjen reciproke të diplomave, kthimin e kadastrit, hapjen e urës së Mitrovicës.

“Këto janë marrëveshjet të cilat Serbia refuzon që t’i implementojë ose ka ngecje serioze në implementimin e tyre, duke iu shtuar edhe përkeqësimi i implementimit të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe raportet ndërfqinjësore të mira, ku shumë qytetarë të Kosovës dhe organizata maltretohen, u refuzohet pjesëmarrja në aktivitete të ndryshme, ndalen qytetarët e Kosovës për disa orë në verifikim apo biseda informative. Këto janë aspekte që po ngulfatin raportet dhe procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, shtoi zyrtari i qeverisë Haradinaj, i ngarkuar për dialogun Prishtinë-Beograd.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re