Ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko tha se Beogradi mund të mbështetet në Moskë për situatën në Kosovë, se Rusia i kupton shqetësimet dhe problemet e Serbisë si të sajat dhe se dy vendet do të vazhdojnë të koordinojnë qëndrimet e tyre për këtë çështje.

Kjo deklaratë vjen pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiç bëri disa deklarata duke kritikuar Perëndimin për sjelljen e tij në Kosovë, Bocan-Harachenko tha se populli i Serbisë e di se gjithmonë mund të mbështetet te Rusia.

“Pavarësisht sfidave serioze për vendin tonë në kuadër të përballjes me NATO-n, që na u imponua. Ne vazhdojmë të marrim pjesë në zgjidhjen e krizave aktuale ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Kosovën”, tha Bocan-Harchenko për “International Affairs”.

Ai theksoi se Rusia do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Beogradin “në mbrojtje të të drejtave ligjore të Serbisë në raport me Kosovën”, dhe se instrumenti kryesor i Moskës në këtë çështje është fakti se Rusia është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, transmeton Tass.

Ai shtoi se Rusia ndan qëndrimin e saj për këtë çështje me partnerët e saj kinezë, sepse Pekini “gjithashtu këmbëngul në respektimin e rreptë të normave të së drejtës ndërkombëtare”.

Diplomati rus ka kujtuar fjalët e presidentit Vladimir Putin se qëndrimi i Rusisë për çështjen e Kosovës nuk ka ndryshuar.

Ai theksoi se bashkëpunimi i Rusisë me Serbinë ka për qëllim forcimin e aftësive luftarake të Serbisë, sigurimin e stabilitetit socio-ekonomik dhe forcimin e sovranitetit të saj.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re