Komisionerja evropiane e Shëndetit, Stella Kyriakides tha se vaksina kundër COVID-19 mund të jetë në dispozicion deri në fund të këtij viti.

“Megjithëse është e rrezikshme të parashikosh në këtë kohë, ne kemi disa indikacione të mira që vaksina fillestare mund të jetë në dispozicion deri në fund të këtij viti ose fillimin e ardhshëm,” tha Kyriakides në një intervistë me edicionin në internet të Handelsblatt.

Vaksina nuk do të zgjidhë të gjitha problemet menjëherë, por do të lejojë një kthim gradual në normalitet, tha ajo, me kusht që “një masë kritike e qytetarëve, veçanërisht ata të grupeve të rrezikut” të vaksinohen.

Shkencëtarët nuk e dinë kur vaksina mund të jetë e disponueshme, sepse zhvillimi i saj mund të zgjasë me vite ose, në teori, mund të ishte e pamundur.

Komisionerja paralajmëroi gjithashtu një numër në rritje të vatrave më të vogla dhe më të mëdha të koronavirusit në disa shtete anëtare të BE-së.

Ajo u bëri thirrje qeverive që “shpejt të izolojnë burimin e infeksionit në vend duke testuar, duke gjetur kontakte dhe menjëherë të izolojnë të infektuarit”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re