Skip to content

Njeriu më i fuqishëm i Pakistanit synon të shkatërrojë dinastitë politike

1791811944 ilpost 20261012153014467 ee0e014cdf85038baed8043e5b49f3e8

Njeriu më i fuqishëm i Pakistanit, marshalli Asim Munir, kreu i forcave të armatosura, po përgatit një tjetër lëvizje për të konsoliduar pushtetin dhe për të dobësuar kundërshtarët politikë.

Plani i tij parashikon ndarjen e katër provincave të vendit në të paktën 12 njësi më të vogla, përmes një reforme kushtetuese që mund të ndryshojë rrënjësisht ekuilibrat politikë.

Sipas Munir, qëllimi është përmirësimi i administrimit vendor dhe lufta kundër korrupsionit. Por pas kësaj nisme qëndron edhe një objektiv politik: dobësimi i dinastive familjare që kontrollojnë provincat dhe përbëjnë ndër qendrat e fundit të pushtetit civil që nuk janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të ushtrisë.

Qeveria qendrore është tashmë nën ndikimin e fortë të ushtarakëve. Katër provincat pakistaneze mbulojnë territore të gjera dhe kanë një rol të rëndësishëm në politikën kombëtare.

Për dekada, ato janë drejtuar nga parti të fuqishme, ku postet politike shpesh trashëgohen brenda familjeve, nga babai te djali ose nga një brez te tjetri.

Ndarja e provincave do të zvogëlonte ndikimin e këtyre strukturave dhe do t’i jepte qeverisë qendrore mundësinë të riorganizonte pushtetin vendor.

Shembulli më i qartë është Panxhabi, provinca më e populluar e Pakistanit, me rreth 128 milionë banorë, pothuajse gjysmën e popullsisë së vendit. Ajo është drejtuar historikisht nga Lidhja Muslimane e Pakistanit.

Fillimisht, në krye ishte Nawaz Sharif, i cili më pas u bë kryeministër i vendit. Pas tij, provincën e drejtoi vëllai i tij, Shehbaz Sharif, kryeministri aktual, ndërsa sot ajo drejtohet nga Maryam Sharif, vajza e Nawaz dhe mbesa e Shehbaz.

Në provincën Sindh, pushteti është përqendruar prej kohësh te familja Bhutto dhe Partia Popullore e Pakistanit, e lidhur me presidentin aktual, Asif Ali Zardari.

Ai është bashkëshorti i të ndjerës Benazir Bhutto, e cila u bë gruaja e parë kryeministre në një vend me shumicë muslimane. Këto familje kanë ndërtuar rrjete të fuqishme politike, të cilat kritikohen për klientelizëm dhe korrupsion.

Plani i Munir përballet megjithatë me pengesa kushtetuese. Për ndarjen e një province kërkohet miratimi i dy të tretave të anëtarëve të parlamentit të saj.

Kjo do të thotë se partitë që rrezikojnë të humbasin pushtetin duhet të votojnë vetë për dobësimin e ndikimit të tyre. Miratimi mund të jetë më i lehtë në Panxhab, ku Lidhja Muslimane është ndër forcat politike më të afërta me marshallin, por në provincat e tjera procesi mund të jetë shumë më i vështirë.

Një alternativë do të ishte ndryshimi i Kushtetutës përmes një procedure që do të përfshinte referendum popullor. Munir ka ndërhyrë edhe më parë në rendin kushtetues, duke dobësuar kompetencat e Gjykatës së Lartë dhe duke krijuar një Gjykatë Federale me përfaqësues që, sipas kritikëve, janë më të afërt me qeverinë dhe ushtrinë.

Referendumi mund të shndërrohet në një armë me dy presa. Nga njëra anë, ai mund të ushqejë akuzat se Munir kërkon të përqendrojë në duart e veta sa më shumë pushtet. Nga ana tjetër, marshalli mund të përfitojë nga pakënaqësia e qytetarëve ndaj korrupsionit të përhapur në institucionet civile.

Munir gëzon popullaritet për shkak të rolit të tij në politikën e jashtme, ku është paraqitur si ndërmjetës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit gjatë konfliktit në Lindjen e Mesme.

Por brenda vendit, situata ekonomike mbetet e vështirë. Rritja ekonomike e Pakistanit është sa gjysma e asaj të Indisë fqinje, inflacioni vjetor kalon 10 për qind dhe shpenzimet ushtarake rëndojnë ndjeshëm mbi borxhin publik.

Ndërkohë, më 11 tetor, qeveria federale njoftoi se kishte marrë nën kontroll provincën veriperëndimore Khyber Pakhtunkhwa, pasi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.

Provinca drejtohej nga partia Tehreek-e-Insaf e ish-kryeministrit Imran Khan, i cili ndodhet në burg që prej vitit 2023 dhe mbetet kundërshtari kryesor politik i qeverisë dhe i Munirit.

Autoritetet argumentuan se administrata vendore nuk po bashkëpunonte sa duhet në luftën kundër terrorizmit. Provinca kufizohet me Afganistanin dhe, së bashku me Beluçistanin, është ndër zonat më të goditura nga sulmet.

Vetëm gjatë shtatorit, në të gjithë Pakistanin u regjistruan 225 sulme terroriste. Në Beluçistan veprojnë grupe separatiste të etnisë beluçe, ndërsa në Khyber Pakhtunkhwa janë aktive talebanët pakistanezë, Shteti Islamik i Khorasanit dhe Al-Kaeda, ndër të tjera.

Qeveria qendrore akuzon autoritetet vendore se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të luftuar këto organizata dhe për të shkëmbyer informacion me ushtrinë. Provinca do të drejtohet për gjashtë muajt e ardhshëm nga një guvernator i emëruar nga qeveria federale.

Marrja nën kontroll e Khyber Pakhtunkhws tregon se përplasja për pushtetin nuk është më thjesht një debat mbi administrimin.

Ndërsa Munir e paraqet riorganizimin territorial si një mënyrë për të luftuar korrupsionin dhe për të përmirësuar qeverisjen, kritikët mund ta shohin atë si një përpjekje për të çmontuar qendrat e fundit të pushtetit civil dhe për të forcuar sundimin e ushtrisë mbi Pakistanin.