Skip to content

Njeriu që jetoi me zemër prej titani për 100 ditë

shendet 2

Një burrë australian në të 40-at e tij ka jetuar për 100 ditë me një zemër artificiale prej titani, duke shënuar periudhën më të gjatë që dikush ka kaluar me këtë teknologji.

Pacienti, i cili ka zgjedhur të mbetet anonim, iu nënshtrua operacionit në Spitalin St. Vincent’s në Sidnei nëntorin e kaluar. Në shkurt të këtij viti, ai u bë personi i parë në botë që doli nga spitali me këtë pajisje, e cila e mbajti gjallë deri sa iu gjet një donator këtë muaj.

Sipas një deklarate nga Spitali St. Vincent’s, Universiteti Monash dhe kompania BiVACOR, që krijoi pajisjen, pacienti po e rimerr veten mirë. Ky sukses konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt përdorimit afatgjatë të zemrave artificiale për pacientët me insuficiencë kardiake.

Aftësia e pajisjes për ta mbajtur atë për kaq gjatë po shihet si një shenjë se zemra artificiale mund të ofrojë potencialisht një opsion për njerëzit që vuajnë nga dështimi i zemrës. Pajisja është ende në provë dhe nuk është miratuar për përdorim të përgjithshëm.

zemra 1

Si funksionon zemra artificiale?

Zemra artificiale BiVACOR ka vetëm një pjesë lëvizëse, që përmes magneteve pompon gjakun drejt trupit dhe mushkërive, duke zëvendësuar të dyja ventrikujt e zemrës së njeriut. Duke qenë se nuk ka valvula apo kushineta mekanike, zvogëlohet rreziku i konsumimit.

Kjo teknologji, e krijuar nga inxhinieri australian Daniel Timms pas vdekjes së babait të tij nga sëmundjet e zemrës, ofron një alternativë premtuese për pacientët që presin një transplant zemre.

Përparimi i testimeve klinike

BiVACOR ka testuar pajisjen në Shtetet e Bashkuara përmes studimeve të miratuara nga FDA. Deri tani, pesë pacientë kanë marrë implantin me sukses, në pritje të transplantit e tyre.

Në Australi, ky implant është pjesë e një programi prej 50 milionë dollarësh australianë për zhvillimin e pajisjeve për trajtimin e insuficiencës së zemrës. Ekspertët shpresojnë që brenda dekadës së ardhshme, zemrat artificiale të bëhen një alternativë standarde për pacientët që nuk mund të presin donatorë./cnn.com