Skip to content

“Njeriu që pa nga e ardhmja”- Neritan Ceka për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas: La pas një Sinod tërësisht shqiptar

Ish-deputeti Neritan Ceka, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” foli për kryepeshkopin Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta në një spital në Athinë dhe iu dha lamtumira e fundit në Tiranë.

Ceka tha se me Kryepeshkopin Anastas kishte një marrëdhënie miqësore, ndërsa ka vlerësuar punën e bërë nga ai në ngritjen e Kishës Ortodokse Shqiptare.

“Humba një mik! Mendoj që edhe Shqipëria përtej asaj që shfaqet ka dhënë disa mesazhe të sinqerta ndaj njeriu i cili e meritonte vërtetë, jo në momentin e fundit të ceremonisë, por mënyrën se si u zhvillua, ankthi që kishin njerëzit për sëmundjen, përpjekjet për të zgjatur jetën, tregonte jo vetëm dhimbje por edhe rezultat i një simpatie të gjatë të njerëzve për të.

Me Anastasin u njoha që në 1991 kur erdhi, por edhe më shumë në 1992 kur nisi odisea e tij në përballjen me opinionin. Ishte njeriu që pa nga e ardhmja. Në kontaktet e para që pata, në atë kohë isha në politikë.

Në 1994 kur u bë objekt i Kushtetutës, një nen ishte i lidhur me Kryepeshkopin, që e penalizonte sepse kërkonte që krerët e komuniteteve të ishin me gjak shqiptar, ne i dhamë një mbështetje.

Nga bisedat me të kujtoj një pritje në Hotel Dajti, më pyeti si e mendon, cili do të jetë rezultat? I thash nuk është puna si do të votohet, por është një çështje për të kuptuar misionin e fesë në tërësi. Çështja e shtruar është ekziston apo jo Zoti. U trondit dhe iu duke si blasfemi. Që aty nisi një miqësi. Në 1997 në Elbasan isha kandidat dhe e takova, jo për t’i marrë mbështetje, pasi në linjën time mendoj që politika e feja janë gjera të cilat nuk duhet të bashkohen kurrë.

Unë vetë jam bektashi, nuk u shpreh menjëherë, më tha se si e mendoja në përgjithësi, më përcolli dhe më bekoi kur po largohesha, dhe fitova.

Ishte sintezë e gjërave më të vlefshme që shohim tek njeriu, qoftë përgatitjen intelektual edhe qetësinë”, tha ai.

Ceka gjithashtu foli edhe në lidhje me trashëgiminë që la Kryepeshkopi Anastas.

“La pas një Sinod tërësisht shqiptar. Janë të gjithë intelektualë, figura që vijnë nga një përgatitje e gjatë, që kanë bërë shkolla, jo nga improvizime.

Në këtë kuptim, merita e madhe e kryepeshkopit ndërtoi një godinë kaq të fortë sa nuk shembet më”, tha ish-deputeti.

“”