Një ngjarje  e rëndë tronditi mbrëmjen e sotme (28 shkurt) qytetin e Korçës, pasi shtetasi Ilo Lluka qëlloi për vdekje shtetasin, Emiljano Pine dhe më pas veten e tij.

40-vjeçari Pine, dyshohet se është qëlluar 4 herë me armë zjarri duke mbetur i plagosur i rëndë dhe më pas ndërroi jetë rrugës për në spital.

Emiljano Pine
Ilo Lluka

Ende nuk dihen saktësisht motivet e kësaj vrasjeje, por policia po heton pistën e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare, pasi viktimat njiheshin me njëri – tjetrin.

Njoftimi i policisë:

Korçë/Informacion paraprak

Më datë 28.02.2024, rreth orës 20:25, në lagjen nr. 18, Korçë, rruga “Koço Golniku”, një shtetas ende i paidentifikuar, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri shtetasin E. P., rreth 40 vjeç, banues në Korçë, i cili ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës.

Autori i dyshuar i krimit, pasi ka qëlluar 40-vjeçarin, dyshohet se është vetëvrarë me armën e krimit.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës armën e krimit, gëzhojat. Gjithashtu janë administruar dhe po këqyren pamjet filmike nga kamerat e sigurisë.

Për këtë rast është krijuar një grup i posaçëm hetimor i cili po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për identifikimin e autorit të ngjarjes.

Korçë/Informacion shtesë

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e sotme, në lagjen nr. 18, Korçë, ju informojmë se grupi hetimor pas veprimeve të kryera me qëllim zbardhjen e rrethanave të saj, ka bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, që qëlloi me armë zjarri 40-vjeçarin E. P., i cili humbi jetën dhe më pas vrau edhe veten me armën e krimit.
Konkretisht autori është shtetasi I. Ll., 61 vjeç, banues në Korçë.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, vijon veprimet për zbardhjen e motiveve dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re