Tablo të pikturuara jo me penel, por me gjilpërë. Këto vepra arti janë krijim i Egla Memajt, vajzës fierake që po shpalos një tjetër dimension të qëndisjes si metodë e lashtë pikture. Një ëndërr e lënë në sirtar për t’u këmbyer me një tjetër po aq ambicioze.

32 vjeçarja nuk i ka shpëtuar frymëzimit klasik të artistëve që buron nga veprat e artit fetar por e ka shprehur atë me një mënyrë origjinale duke ndërthurur teknikën tradicionale me formën moderne të veprave të saj.

Tokë dhe qiell ku e para prezantohet me kopshtin e Edenit dhe e dyta me epitafin e Gllavenicës, detajet e të cilit janë shndërruar në tablo të arta madhështore. Admirimin për një vepër të artit kishtar si ajo e epitafit të Gllavenicës, Egla Memaj e ka përkthyer në punime mahnitëse.

Rezultati i një pune shumëvjeçare janë dy pavione të mbushura me tablo që kanë impresionuar publikun që në ekspozimin e parë. Egla Memaj ka studiuar në shkollën e mesme artistike Jakov Xoxa në Fier për të vazhduar me pas studimet e larta në Universitetin e Arteve në Tiranë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re