Renato Xoxi 58-vjeçari nga Durrësi është një nga ata heronjtë e heshtur, që nuk ka nevojë për publicitet në atë që bën. Ai nuk bërtet me të madhe për të lypur ndihmë në ndërmarrjen që ka marrë prej vitesh. Pothuajse të gjithë jetën ia ka dedikuar kujdesit të qenve dhe maceve të rrugës. “Çfarë kemi ne është dhuratë nga Zoti, çfarë japim ne është dhuratë që ja japim Zotit”, është motoja e Renatos. Gjatë një rrëfimi për Gazetën SHQIP, Xoxi thotë se një pjesë të mirë e të të ardhurave i shpenzon për kafshët e rrugës dhe kjo e bën atë të lumtur dhe të gjejë paqen shpirtërore. Ndiqni intervistën e plotë të Renatos, i cili iu bën thirrje njerëzve që sado pak që të munden, të kujdesen për këto krijesa.

Renato, si lindi dashuria juaj për kafshët?

Që kur kam qenë i vogël mbaja kafshë në shtëpi. Pëllumbat i kam pasur më shumë qejf. Madje një herë jam larguar nga shtëpia sepse pata një debat me prindërit. Isha 10-vjeç atë kohë. Prindërit  donin që të më hiqnin pëllumbat se bënin pis dhe në shenjë proteste u largova në mëngjes dhe u ktheva në darkë. Ata ishin bërë shumë merak dhe babai atë kohë më bleu dy turtuj për të mos u larguar më.

Çfarë pune bën?

Për momentin jam i papunë. Me profesion jam elektricist dhe kam punuar disa vite si i tillë. Kam jetuar edhe në Greqi por tani jam kthyer dhe kam disa prona të trashëguara, të cilat më sjellin të ardhura financiare. Jam administratori i një pallati nëDurrës sepse këtu jetoj, por e bëj vullnetarisht si punë.

Përse kujdesesh për kafshët?

Ato të ndryshojnë karakterin. Të bëjnë një njeri më të mirë. Unë prej 30 vitesh jam vegjetarian. Nuk e ha mishin. Nuk ma lejon ndërgjegjja.

Sa orë në ditë iu dedikohesh kafshëve?

Shpenzoj mjaft kohë. Më duhen rreth 4 orë, përfshi këtu përgatitjen e ushqimit dhe shpërndarjen e tij. Këtë gjë e bëj çdo ditë. Madje shkoj në Kavajë për të blerë pula, që t’ua gatuaj më pas qenve dhe maceve. Iu blej edhe perime, që tu bëhet ushqimi më i shijshëm dhe i pasur me vitamina. Kam një tenxhere shumë të madhe për gatimin e ushqimit të tyre.

Sa para shpenzon në muaj?

Ka raste që shpenzoj 150-250 mijë lekë të vjetra në muaj, përfshi këtu edhe karburantin që më duhet të shpërndaj ushqimin. Kam rreth 30-40 qen e mace që kujdesem në ditë.

Ke debate me familjen për vëmendjen që iu kushton qenve dhe maceve endacake?

Fillimisht kam pasur shumë sepse shpenzoj para dhe kohë pas tyre. Tashmë janë bindur që unë nuk heq dot dorë dhe e kanë pranuar si fakt.

Intervistoi: SilvanaMuça

E-mail:[email protected]

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re