Në kohën kur rënia e lindjeve po kthehet në shqetësim edhe për
Shqipërinë, ai është babai më i lumtur në botë. Jeton në fshatin Dritas
të komunës Labinot Mal dhe ka plot 11 fëmijë. Skuadrën e tij të
futbollit e ka me 10 vajza dhe një djalë.

Për banorët ai është edhe më fatlumi dhe më i pasuri i zonës. Sipas
tyre, duke pasur shumë fëmijë, Shefqet Idrizi ka më shumë mundësi të
mbajë bagëti, të mbledhë gështenja e kështu të pasurohet.

“E doja një djalë dhe më në fund erdhi, por u deshën plot 10 vajza. 4
i kam martuar ndërsa 6 të tjera i kam në shtëpi. Nuk qahem se punojnë
të gjitha dhe tani që po flasim disa janë me bagëti, disa po mbledhin
gështenja. Nuk pendohem që kam 10 vajza dhe që më në fund arrita të kem
një djalë”.

E gjejmë në shtëpinë e tij në fshat, ndërsa vajzat sëbashku me
bashkëshorten, janë të gjitha duke u kujdesur për bagëtitë dhe duke
mbledhur gështenja. I pyetur se pse e donte patjetër një djalë, Shefqeti
tregon se ishte shumë e rëndësishme për të të kishte një djalë pasi
vajzat martohen e shkojnë në shtëpinë e burrit.

“Unë kam një skuadër futbolli me fëmijë dhe më të voglin e kam 11
vjeç. Është e vështirë të kesh kaq shumë fëmijë sot, por unë nuk jam
penduar aspak që kam kaq shumë. Vajzat janë punëtore dhe si të tilla e
nxjerrin vetë pjesën e tyre. Djali është pak i ledhatuar, por e meriton
se është pas 10 femrave”.

Shefqeti ka mbi 20 lopë dhe qindra kokë dele. Ka një shtëpi shumë të mirë në qytet dhe toka e gështenja në fshat ku kalon pjesën më të madhe të vitit.

Me pak fjalë skuadra e tij e futbollit me fëmijë nuk e ka rrënuar, por pasuruar. Dhe nëse bashkëshortja e tij do të mundte, ai do të kishte akoma më shumë fëmijë. Shefqeti ka një mesazh për të gjithë ata që sot mendohen mirë për të pasur fëmijë: “Bëni sa më shumë fëmijë, se fëmija e ka kismetin me vete”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re