1 milion karta identiteti dhe pasaporta qytetarësh pritet të skadojnë
në fund të këtij viti. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i bëri
thirrje të gjithë qytetarëve të cilëve i skadon karta këtë fundvit që të
aplikojnë për të mos krijuar radhë të panenojshme deri në fund të
vitit. Ai tha se nga muaji tetor nëse dikush që i skadon karta në
dhjetor nuk do mund të udhëtojë pa pasur me veten edhe pasaportën që
skadon por edhe një dokument që vërteton se ka aplikuar për një
pasaportë të re

“Janë mbi 1 milion karta identiteti dhe pasaporta qytetarësh, të
cilët mbarojnë afatin e vlefshmërisë këtë vit. Dhe është me rëndësi të
madhe që qytetarët të shfrytëzojnë kohën për të aplikuar, sa nuk është
vonë për të mos e lënë që në fund të vitit të mblidhen e të shtohen
radhët dhe të krijojmë situata të panevojshme. Për fat të keq
konstatojmë që ende flukset e aplikimit nuk janë ato që duhet, sepse ne
përgjithësisht ne tentojmë t’i lëmë gjërat për në sekondën e fundit. Por
gjej rastin edhe njëherë t’i ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë për
t’u pajisur me kartën e identitetit dhe pasaportën biometrike, ende sa
ka kohë, sa sportelet janë të lira për arsye se shumë shpejt ne do të
ndërmarrim masa shtesë që do të thotë, ne do t’i kushtëzojmë përdorimin e
dokumenteve aktualë, megjithëse janë ende në fuqi, me aplikimin.

Do të thotë që në një periudhë të caktuar, e cila do të shpallet,
besoj nga muaji tetor, nëse dikush do të tentojë të udhëtojë jashtë
shtetit me një pasaportë, të cilës i mbaron afati në dhjetor, nuk do të
mund të udhëtojë pa pasur bashkë me pasaportën që skadon, edhe një
dokument që vërteton që ai e ka bërë aplikimin për pasaportën e re. Po
kështu shërbimet që lidhen me kartën e identitetit, nuk do të ofrohen
nëse karta nuk shoqërohet me një dokument që provon se qytetari e ka
bërë aplikimin për të renë. E gjitha kjo bëhet për t’i kujtuar qytetarët
që 31 dhjetori është afati i fundit, por nuk mund të prodhohen të
gjitha kartat në datën 31 dhjetor! Do të duhet që gjithë kjo kohë,
përpara datës 31 dhjetor të shfrytëzohet nga çdo qytetar në mënyrë që të
evitojmë radhët, stresin dhe të gjitha problemet që lidhen me këtë
çështje”, tha Lleshaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re