Dragomir Andjelkoviç, analist politik nga Serbia, duke komentuar deklaratën e Putinit në një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, se Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luganskut u bënë të pavarura në bazë të precedentit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vendosjen e pavarësisë së Kosovës, tha kjo deklaratë mund të jetë e dobishme për Serbinë.

“Serbia e drejtoi një pyetje dhe mori përgjigjen se të gjitha territoret që e kalojnë shpalljen e pavarësisë në atë mënyrë, që nënkupton shprehjen e vullnetit të qytetarëve, kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Prandaj, Putin nuk bëri gjë tjetër veçse deklaroi faktin se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mori një vendim me kërkesë të Serbisë, gjë që nuk na pëlqeu në atë moment. Nga ana tjetër, mund të jetë e dobishme edhe për ne. Meqë ky vendim vlen për Kosovën, mund të zbatohet edhe për veriun e Kosovës, ku serbët janë shumicë, dhe ku ata mund të përbëjnë të gjitha organet e tyre nëse marrin një vendim të tillë. Por edhe për Republikën Srpska”, pohon ai.

Ai shton se pyetja e dytë është nëse Beogradi ka guxim të kërkojë një vendim të tillë dhe të realizojë interesin kombëtar, pasi Serbia nuk e kontrollon Kosovën në tërësi dhe nuk ka gjasa që ta rifitojë atë.

“Ky vendim na mundëson të fokusohemi në atë që është realiste, pra në veriun e Kosovës dhe Republika Srpska. Gjëja tjetër është nëse Beogradi ka guxim të bëjë diçka të tillë. Prandaj, mendoj se deklarata e Putinit është plotësisht në përputhje me realitetin dhe mund të na sjellë dobi nëse jemi të vendosur të qëndrojmë prapa interesave tona”, thotë Andjelkoviç.

I pyetur nëse Putini e ka njohur kështu pavarësinë e Kosovës, ai është përgjigjur se në asnjë mënyrë jo.

“Ai vetëm tha se ashtu siç Perëndimi e ka pranuar deklaratën e Kosovës në përputhje me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ashtu edhe ata e njohin Luganskun dhe Donetskun. Një gjë tjetër do të ishte nëse vetë Perëndimi do të njihte Luganskun dhe Republikën e Donetskut, në mënyrë që Rusia ta njihte Kosovën. Por tani për tani, diçka e tillë është joreale dhe sigurisht që nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e Rusisë deri në një njoftim tjetër. Dhe nëse rastësisht do të bëhej një zgjidhje universale, njohja e deklaratave që u sollën në Lugansk, Donetsk dhe Kosovë, atëherë ne kemi një derë të hapur për të bërë të njëjtën gjë në veri të Kosovës dhe në RS”, arsyetoi Andjelkoviç.

Putin theksoi se i kishte lexuar të gjitha dokumentet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me Kosovën dhe se i kujtohej mirë vendimi ku thuhet se në ushtrimin e të drejtës për vetëvendosje, një territor i caktuar i asnjë shteti nuk është i detyruar për të kërkuar leje nga autoritetet qendrore për të deklaruar sovranitetin.

“Kjo u tha për Kosovën dhe ishte një vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili u mbështet nga të gjithë”, tha Putin, duke shtuar se Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut kanë të njëjtën të drejtë si Kosova për të deklaruar sovranitetin e saj pa leje nga pushteti qendror.“Sepse është krijuar një precedent”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re