Skip to content

Njohje e licencave të avokatëve dhe zbatim i dënimeve alternative në Shqipëri e Kosovë

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Njohja reciproke e licencave të avokatëve, ndërmjetësve dhe zbatimin e dënimeve alternative që japin gjykatat e dy vendeve, është një tjetër marrëveshje e nënshkruar sot mes Shqipërisë dhe Kosovës.

 

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu.

 

 

Gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive mbajtur në Prishtinë, ministri Manja tha se “në mbledhjen e fundit të dy qeverive tona mbajtur në Elbasan, së bashku me kolegen Haxhiu ne u dakordësuam që bashkëpunimin gjyqësor ta shtrijmë edhe në fushën civile dhe sot që flasim ne e kemi tashmë një marrëveshje në fushën civile dhe tregtare, e cila u miratua nga të dy parlamentet tona dhe unë gjej rastin t’i përgëzoj ligjvënësit tanë në të dy vendet”.

 

Në Shqipëri, tha Manja kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi më 30 qershor 2022, dhe do të kemi efektet e para për qytetarët tanë në zgjidhjen e çështjeve civile tregtare, familjare trashëgimore, por edhe pronësore.

 

“Sot jemi marrë vesh me ministren Haxhiu që bashkëpunimin në fushën e drejtësisë ta shtrijmë edhe më tej drejt njohjes reciproke të licencave të avokatëve, të ndërmjetësve, por edhe në njohjen reciproke të jurisprudencës. Por çka është më e rëndësishmja, njohja dhe zbatimi i dënimeve alternative që japin autoritete tona gjyqësore në të dy vendet”, deklaroi Manja.

 

Ministri sqaroi se do të ngrihet një grup i përbashkët pune që do të adresojë siç duhet këto marrëveshje që do firmosim në të ardhmen, por edhe për të gjetur një mekanizëm ndërshtetëror për të garantuar zbatimin e këtyre marrëveshjeve.

 

Ndërsa ministrja Haxhiu tha se “bashkërisht kemi ndërmarrë tri nisma, përmes të cilave garantohet reciprociteti në lejimin e ushtrimit të profesionit të avokatit, po ashtu edhe të ndërmjetësuesit në shtete përkatëse, si dhe njohja e provimit të jurisprudencës, dhe kjo është shumë e rëndësishme për juristët e të dyja vendeve”.

 

Kjo do të mundësojë që avokatët e ndërmjetësuesit të shtrijnë aktivitetin e tyre profesional në të dyja vendet, ashtu siç edhe qytetarët tanë do të kenë mundësi që nga këta profesionistë të marrin shërbimet e nevojshme.

 

Ndërsa njohja e provimit të jurisprudencës, tha Haxhiu, e zgjeron shtrirjen e saj në të dyja shtetet tona.

 

“Me synim unifikimin e legjislacionit dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve, ne gjithashtu do të krijojmë një grup pune të përbashkët i cili do të shërbejë për identifikimin e fushave të tjera në të cilat vendet tona do të mund të zbatojnë reciprocitetin”, deklaroi ministrja e Kosovës.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë