Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka bërë me dije se arsyeja e paraqitjes së tij në SPAK ishin denoncimet e bëra për kryetaren e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi dhe çështja ‘Aktivisti’.

 

Para mediave, Noka deklaron se kryetarja e Bashkisë Roskovec ka shantazhuar qytetarët duke tjetërsuar vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet vendore të 14 Majit.

 

Ai deklaron se ka dorëzuar pranë SPAK provat që zotëron për të mbështetur akuzat e tij, ndërsa thekson se ka nisur hetim penal për të dyja rastet.

 

 “Në këtë fushatë zgjedhore rilindja ka bërë një batërdi dhe në këtë aspekt ne kemi monitoruar dhe kemi paraqitur në SPAK një mori padish për këtë batërdi. Sot isha për të diskutuar në lidhje me dy çështje, në lidhje me zonjën Majlinda Bufi si kërcënuese për të devijuar dhe dhune votën dhe për aktivistin që po ashtu shantazhonte administratën. Të dyja janë krime të rënda dhe ne do ti shkojmë deri në fund. Të gjitha provat janë dorëzuar. Fakti që jam unë këtu do të thotë që hetim penal ka për çështjen e aktivistit dhe për Bufin. Vota me dhunë dhe presin duhet të marrë fund”, tha ai.

 

Deputeti demokrat, Flamur Noka u shfaq këtë të martë në ambientet e Gjykatës së Posaçme për të dëshmuar lidhur me denoncimet e bëra pranë këtij institucioni.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re