Skip to content

Noka sulmon Bashën: “Pengkryetari” është ministri i 20 i qeverisë Rama! Strazimiri: Firmat verifikohen më datë 11 dhjetor

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka akuzoi ashpër kryetarin e PD-së, duke e quajtur ministrin e 20 të kabinetit Rama.

“Pengkryetarit i kanë mësuar një gjë, që mënyra më e mirë për t’u mbrojtur është të sulmosh. Nuk ka njeri të lirë në këtë vend që nuk e di se kush është pengu dhe kush i ka shërbyer Edi Ramës prej 8 vitesh.

Nuk ka shqiptar që nuk e di se kush i shkatërroi kauzat e opozitës dhe për arsye të kujt. Zoti Basha është një “pengkryetar”, këto tregojnë që qeveria ka 20 ministra, një ministër i shuarjes së opozitës, që quhet Lulzim Basha. Por ai është pakicë. Demokratët kanë shprehur vullnetin e tyre”, tha Noka.

Ai dhe deputetë e anëtarë të tjerë të PD-së thanë se më 11 dhjetor do të mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, pavarësisht pretendimeve të Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, se nuk kanë dorëzuar firmat për mbajtjen e këtij kuvendi.

“Mbrëmë janë dorëzuar 4200 firma, sot po vijojnë të tjerat dhe të jeni të sigurt që shifra do ta kalojë 5000. Është një vullnet absolut për ta çliruar. Sekretari i Përgjithshëm është mëkëmbësi i tij dhe është palë. Kuvendi do të vetëmblidhet, e parashikon statuti. Në demokraci mos prisni që shumica të paraqitet në rresht te pakica”, tha Noka.

Nërsa ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri deklaroi sot se firmat e mbledhura nga Foltorja e Sali Berishës do të verifikohen në datë 11 dhjetor përmes një komisioni të ngritur nga vetë Kuvendi.

“Siç jeni në dijeni shumica absolute e PD kanë firmosur kërkesën për mbledhjen e Kuvendit më 11 dhjetor. Ky është organi më i lartë statutor që drejton PD. Ajo verifikohet sipas një procedure fikse, standarde. Vetë Kuvendi miraton komisionin e verifikimit të mandateve. Edhe nëse nuk vetëmblidhet Kuvendi nuk verifikohet nga askush tjetër, sepse të gjithë janë vartësit e tij.

Si i tillë edhe Kuvendit i datës 11 dhjetor do të verifikohet nga komisioni që do të miratohet në sallë. Kemi paraqitur për transparencë numrin e firmave që janë mbledhur nga delegatët e PD. A ishte detyrim statutor? Jo. E kemi bërë për transparencë. I kemi dorëzuar në organin e dytë më kryesor të PD, Këshillin Kombëtar. Kush ka kuriozitetin mund të shohë në zyrën e kreut të Këshillit të PD. Kushdo e ka 20 hapa larg zyrën e zoti Paloka e të shohë janë mbledhur apo jo firmat, jo të verifikojë, atë e bën Kuvendit vetë”, tha Strazimiri.