Sektori i Dekriminalizimit pran] Prokurorisë së Përgjithshme të Tiranës ka mbyllur hetimet për Tom Doshin dhe ia ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dosjen me verifikimet përkatëse.
Prokuroria e ka lënë tashmë në dorën e KQZ-së të vendosë nëse mandati i deputetit që Tom Doshi fitoi në zgjedhjet e 25 prillit, ishte i vlefshëm ose jo dhe nëse ky i fundit prekej apo jo nga ligji i dekriminalizimit, pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA-te. Kujtojmë që Tom Doshi pasi fitoi mandatin e deputetit në Shkodër, disa ditë pas numërimit dha dorëheqjen nga ky post.
Verifikimet e Prokurorisë nisën me kërkesë të Partisë Demokratike, e cila kërkonte që KQZ të mos pranonte kandidimin e Doshit në zgjedhje sepse DASH e kishte shpallur ‘non grata’.
“Tom Doshi është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe ai nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje. Në kuptimin e ligjit të dekriminalizimit, neni 2, Tom Doshi ndalohet të kandidojë, pasi ai është i dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Urdhri i Sekretarit Amerikan të Shtetit ia ndalon atij hyrjen në SHBA, duke përbërë shkak ligjor për ndalimin e kandidimit të Tom Doshit në zgjedhjet e 25 Prillit 2021”, thuhej në argumentimin e Partisë Demokratike para zgjedhjeve të prillit 2021.
Asokohe ish-kryeministri Sali Berisha nuk ishte përfshirë në “listën e zezë’ të SHBA, si e tillë vendimmarrja e KQZ-së për çështjen Doshi që tashmë është e mbyllur pas doreheqjes së tij, mund të shërbejë si precedent dhe për rastin e ish-kreut të demokratëve.
Gjatë verifikimeve, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi të dinte me anë të një kërkese drejtuar Ambasadës së SHBA-ve, informacionet që dispononte rreth Doshit, nisur dhe nga fakti që Departamenti Amerikan i Shtetit, në prill të vitit 2018, vendosi që t’i ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara politikanit dhe anëtarëve të tjerë të familjes së tij, duke e shpallur “non grata”
Ndërkaq, ambasadorja amerikane Yuri Kim, përsëriti disa herë herë apelin e saj për të penguar rikandidimin e Doshit në zgjedhjet e 25 prillit.
Në dokument shkruhej se KQZ-së duhet të bëjë zëvendësimin e tij tashmë në listë, po ashtu edhe mandatin e tij nëse e fiton një të tillë.
Doshi ishte renditur i dyti në Qarkun e Tiranës në siglën e PSD, ndërsa i pari ishte kandidati Gertjan Deda, ndërsa në Qarkun e Shkodrës ishte renditur i pari dhe në vend të dytë është kandidati Gledis Çeliku.
Pas këtyre ngjarjeve, Tom Doshi dha dorëheqjen nga kreu i PSD. Ai po ashtu dha dorëheqjen edhe nga mandati i deputetit vetëm pak orë pas zgjedhjeve të 25 prillit.