Ish-kryeministri Sali Berisha në konferencë për mediat ditën e sotme mbi shpalljen e tij “non grata” nga Britania e Madhe, ka thënë se akuzat e përfshirjes së tij bandat e Elbasanit, janë të pavërtëta.

Ne fjalën e tij, Berisha u shpreh se ambasadori britanik King Smith bazuar në deklaratat e Lulzim Bashës, ka deklaruar në “Home Office” se Berisha po mbledh firmat e delegatëve të Elbasanit për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar me ndihmën e Suel Çelës.
Lidhur më këtë pretendim Berisha tha se ka denoncuar bandat e Elbasanit dhe të çdo qyteti me emra dhe lidhjet e tyre zyrtare, pasi sipas tij ata kërcënojnë mediat e qytetarët, duke mohuar kështu lidhjet me ta.

“Akuza tjetër, lidhja ime me bandat e Elbasanit. Burimi, Lulzim Basha. Edhe në këtë rast, ambasadori King-Smith ka përcjellë një shpifje të ish-kryetarit të PD. Ai në nëntor 2022 deklaroi se Berisha po mbledh firmat e delegatëve të Elbasanit për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar me ndihmën e Suel Çelës.

Unë iu përgjigja publikisht. Sali Berisha ka denoncuar bandat e Elbasanit dhe të çdo qyteti me emra dhe lidhjet e tyre zyrtare, miq të ambasadorit, më shumë se të gjithë politikanët shqiptarë së bashku. E kam bërë publikisht se ata kërcënojnë mediat e qytetarët dhe përpiqem t’ju prij atyre me denoncimin me emra që të njiheni tek publiku siç janë, me emra”, tha Berisha.

AKUZAT E SOROS

Me tej Berisha tha se çdo shqiptar duhet të njihet me raportin që do të bëhet publik sot pasi në të fshihen planet për të shkatërruar opozitën dhe shpopullimin e vendit.

“SHBA dhe Britania nuk fshihen pas këtij sulmi. Këto shtete të mëdha, aleate të Shqipërisë, janë viktimë e disa mollëve të kalbura që kanë rënë në rrjetën e Sorosit si McGonigal apo Yuri Kim, që u largua nga Shqipëria si sekretare e PS.
Rasti i Shqipërisë tregon se mjafton të shkatërrosh opozitën dhe mund të grabisësh një komb pa vështirësi. Mafia e Sorosit ka qenë prezent në çdo projekt antishqiptar në rajon, Ballkani i Hapur, ndarja e kufijve të Kosovës, kanë pasur si padrino Sorosin dhe partnerët e tij. Mafia e Sorosit është më shumë antishqiptare, ajo tani është antinjerëzore. Ata kanë në agjendë shkatërrimin e familjes dhe partive konservatore. Ishte kjo mafie që nxiste vaksimin e detyruar, duke e shndërruar vaksinën në një agjent dhunimi të të drejtave të njeriut. Ishte Elon Musk që tha shprehimisht se Soros urren njerëzimin. Ishte Donald Trump dhe Ron DeDantis që flasin për të si një armik.

Por është Sali Berisha që prej 7 vitesh e ka cilësuar atë si një gjeni negativ dhe monstër të njerëzimit. Raporti do bëhet publik për çdo shqiptar dhe ftoj çdo shqiptar ta lexojë pasi të vërtetat e tij tejkalojnë çdo imagjinatë.

Të vërtetat janë kaq tronditëse sa është në interes të gjithë botës të mësojë për këtë rast flagrant. Krahas betejës gjyqësore, do zhvilloj një fushatë mediatike ndërkombëtare, duke përdorur të vërtetën e këtij raporti”, tha ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re