Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se po sanksionon 30 persona nga e gjithë bota, duke përfshirë zyrtarë rusë dhe iranianë, duke synuar ata që janë përgjegjës për aktet e torturës, dhunës seksuale dhe represionit, si dhe korrupsionin.

Qeveria britanike pretendon se sanksionet janë të koordinuara me partnerët ndërkombëtarë, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe Ditën Globale të të Drejtave të Njeriut.

Ndër të tjera, në listë janë edhe disa persona nga Serbia dhe Kosova. Në shpjegimin për vendosjen e sanksioneve, Slobodan Teshiç ishte etiketuar si tregtar armësh nga Serbia dhe akuzohej se i kishte dhënë ryshfet prokurorit të shtetit të një shteti tjetër.

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, i përshkruar si një biznesmen nga industria e ndërtimit, pretendon Londra, ka përfituar nga përvetësimi i kontratave shtetërore dhe ka përdorur ndikimin e tij për t’i dhënë punë fitimprurëse kompanive të tij.

Është sanksionuar edhe Zvonko Veselinoviç, një biznesmen nga Kosova, i cili dyshohet se ka përdorur kontrata publike për përvetësim të fondeve shtetërore.

“Shkelje e tmerrshme e të drejtave themelore”

Ndër të tjera, Britania futi në listë disa oficerë rusë, si dhe dhjetë shtetas iranianë, të cilët lidhen me persekutimin e protestuesve dhe dënimin e tyre, ndër të tjera, me ekzekutim.

Ministria thekson se sanksionet ndaj dhjetë vendeve përmes shtatë regjimeve të sanksioneve janë më të gjerat që Britania e Madhe ka vendosur ndonjëherë në një paketë. Përveç atyre nga Irani, Rusia, Serbia dhe Kosova, lista përfshin njerëz nga Nikaragua, Pakistani, Uganda, Sudani i Jugut, Mali, Moldavia dhe Mianmari.

“Sot sanksionet tona shkojnë më tej në ekspozimin e atyre që qëndrojnë pas shkeljeve të tmerrshme të të drejtave themelore,” tha në një deklaratë Sekretari i Jashtëm James Cleverly.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re