Me ndezjen e një konflikti të ri ushtarak, tregjet janë bërë sërish të pasigurta, duke paralajmëruar për një valë tjetër të rritjes së çmimeve. Në këto kushte, për të mbajtur nën kontroll inflacionin, Banka e Shqipërisë paralajmëron rritje të mëtejshme të normës bazë të interesit për lekun, një vendim që ndikon ata që kanë kredi dhe depozita bankare.

 

GENT SEJKO

GUVERNATOR I BANKES SE SHQIPERISE

 

“Analizat tona tregojnë se presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të jenë të larta, ndërsa rindezja e tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme ka potencialin të rrisë rreziqet ndaj inflacionit. Për këtë arsye, ne mbetemi të angazhuar të reagojmë në drejtim të normalizimit të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen.”

 

Rritja e mëtejshme e normës së interesit mbështetet edhe misioni Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili mes të tjerash këshillon edhe monitorimin e kontratave të Partneritetit Publik Privat dhe investime në projekte produktive.

 

ANKE WEBER

SHEFE E MISIONIT TE FMN

 “Të ketë një menaxhim më të mirë të investimeve publike, me një orientim të fondeve në projekte me produktive. Duhet punuar më tej për të ulur rrezikun fiskal të kontratave koncensionare dhe ndërmarrjeve shtetërore. Ecuria e inflacionit ende nuk është e sigurt, teksa forcimi i lekut ka ndihmuar në uljen e çmimeve. Banka e Shqipërisë duhet të nxisë përpjekjet për rritjen përdorimit të monedhës vendase në transaksione.”

 

Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministri i Financave njoftoi se ekonomia shqiptare gjatë këtij viti do të rritet përtej parashikimeve fillestare.

 

ERVIN METE

MINISTER I FINANCAVE DHE EKONOMISE

 

“Të dhënat paraprake indirekte për tremujorin e tretë tregojnë për një ritëm më të shpejtë të rritjes ekonomike. Treguesit e ndjesisë ekonomike kanë arritur nivele të larta historike, pasiguritë janë zvogëluar, si dhe tregues të tjerë të konsumit dhe investimeve sugjerojnë përshpejtim të rritjes ekonomike.  Nisur nga kjo ecuri e mirë, ne kemi rishikuar për sipër projeksionet tona për rritjen reale të këtij viti, në 3.7%, nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar.  Sa i përket perspektivës ekonomike, në skenarin tonë bazë për vitin e ardhshëm parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8%.”

 

Megjithatë, sektorët që po ndihmojnë progresin ekonomik janë vetëm turizmi dhe ndërtimi dhe në këtë drejtim, misioni i FMN sugjeron që rritja e mëtejshme të prekë edhe sektorët e tjerë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re