Për të dytën mbledhje radhazi, norma bazë e interesit të lekut mbetet e pandryshuar në nivelin e 2.75%.

 

Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, ky vendim vjen si pasojë e stabilitetit të çmimeve në tregjet e huaja dhe në atë vendas, duke bërë që inflacioni të nisë kurbën rënëse.

 

GENT SEJKO

 

GUVERNATOR I BANKES SE SHQIPERISE

 

“Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se normalizimi i deritanishëm i qëndrimit të politikës monetare ka kontribuuar në zbutjen e presioneve inflacioniste, nëpërmjet kontrollit të pritjeve për inflacionin, reduktimit të pasigurisë dhe ruajtjes së stabilitetit në tregjet financiare, si dhe garantimit të qëndrueshmërisë së monedhës tonë kombëtare. Inflacioni pritet të shënojë një pikë kthese gjatë tremujorit të katërt të vitit 2022, të reduktohet progresivisht gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e dytë të vitit 2024. Ky parashikim bazohet në reduktimin e pritur të inflacionit në ambientin botëror, në reduktimin progresiv të efekteve të raundit të dytë në vend, si dhe në ruajtjen e normave pozitive të rritjes ekonomike gjatë periudhës në vijim.”

 

Ndryshe nga viti 2022, gjatë këtij viti parashikimet janë që ekonomia vendase të nisë të çlirohet gradualisht nga çmimet e larta dhe efektet e krizës të zbuten. Por pavarësisht këtyre projeksioneve optimiste, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë me shtrëngimin e politikës monetare, çka do të thotë se në muajt në vijim mund të përballemi sërish me rritje të normës bazë të interesit të lekut.

 

GENT SEJKO

 

GUVERNATOR I BANKES SE SHQIPERISE

 

“Këshilli Mbikëqyrës rikonfirmon gjykimin e tij se presionet e larta inflacioniste mbeten rreziku kryesor mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Gjithashtu, ai thekson se, bazuar në informacionin aktual, normalizimi i mëtejshëm i qëndrimit të politikës monetare mbetet një masë e nevojshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve. Ky normalizim bëhet edhe më i nevojshëm, në prani të një balance rreziku për inflacionin, e cila qëndron ende në kahun e sipërm.”

 

Ndryshimi i vazhdueshëm i politikës monetare gjatë 2022 ndikoi drejtpërdrejt kredimmarrësit, duke shtrenjtuar këstet e kredive për ta, por edhe duke tkurrur kërkesën për hua të reja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re