Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi dje dy dekrete për kthim ligjesh të presidentit Ilir Meta, ai i njohur si ligji KÇK dhe ai për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.
Vendimmarrja nga deputetët u mor online, por Instituti i Studimeve Politike ka konstatuar një sërë parregullsish që cënojnë transparencën në vendimmarrje dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.
Shqetësimi kryesor është mosaksesi i medias në mbledhje dhe në dokumente, si dhe paqartësitë në komunikim, ku mbizotërojnë në shumice fjalët “nuk dëgjohet qartë”
Në raportimet e djeshme në mediat televizive asnjë prej tyre nuk kishte pamje filmike ilustruese, një tregues se media nuk ka pasur aksesin e nevojshëm për verifikimin e mbledhjeve, debateve dhe vendimmarrjes, edhe në raste të tilla me rëndësi, siç ishin rrëzimi i dy dekreteve për ligjet e mësipërme, për të cilat shoqëria civile vazhdimisht ka ngritur shqetësime.
ISP ka sjellë një ilustrim nga mbledhja e parafundit e Komisionit të Ligjeve në Kuvend, komisioni më i rëndësishëm në procedurën parlamentare. Siç shihet, vetëm në një faqe ka 12 raste kur fjalitë & fjalët e relatorit të ligjit mungojnë, nuk dëgjohen ose nuk kuptohen.
“Ky është një dokument zyrtar dhe nëse praktika të tilla vijojnë në këtë formë, dokumenti humbet vlerën e të qenit zyrtar, aktet e miratuara humbasin vlerën e praktikës ligjore dhe vetë Kuvendi humbet shumë në besueshmërinë e punimeve dhe të produkteve ligjore të tij”, nënvizon ISP.
