Kryeministri Edi Rama tha se qeveria nuk do të ndalet me rritjen e pagave për mësuesit. Gjatë një aktiviteti për sigurinë në shkolla ku janë angazhuar 240 oficerë sigurie në mbarë vendin, Rama u shpreh se rroga mesatare e një mësuesi është 950 euro.
Sipas kreut të qeverisë kjo është një rritje domethënëse brenda së cilës ka një përshkallëzim sipas eksperiencës dhe sipas kritereve të vendosura në një rrugëtim të mësuesve.
Rama theksoi se ata mësues që që dallohen do të paguhen më mirë.
Rama u shpreh gjithashtu se arsye pse ne nuk jemi si Zvicra është “sepse për një kohë shumë të gjatë kemi mbetur shumë pas në dije”. “Është dija që i kthen pasuritë natyrore në pasuri të përbashkët dhe i jep mundësi vendit të transformohet më shpejt”, u shpreh ndër të tjera kreu i qeverisë.
Rama: Nuk jemi fokusuar vetëm tek godinat dhe infrastruktura, por edhe tek fuqizimi i autoritetit të mësuesit dhe motivimi i vazhdueshëm i trupës mësimore. Këtë e kemi bërë me të gjitha mënyrat e nevojshme por mbi të gjitha duke vendosur si objektiv strategjik të politikës tonë, rritjen e vazhdueshme të pagave të mësuesve. Sot kemi arritur me ndërhyrjen e fundit të muajit qershor, që pagën mesatare të mësuesve ta kemi 950 euro. Është një rritje domethënëse brenda së cilës ka një përshkallëzim sipas eksperiencës dhe sipas kritereve të vendosura në një rrugëtim të mësuesve, ku ata që dallohen të paguhen më mirë. Ne nuk kemi ndërmend të ndalemi këtu. Synimi është që në 2030 Shqipëria të jetë kampion në të gjitha drejtimet, kryesore anëtarësimi në BE.