Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç, ka deklaruar se serbët nuk duhet të jenë të indinjuar me vendimin e fundit të qeverisë për të lejuar qarkullimin e lirshëm të automjeteve me targat e Kosovës. Sipas tij vendimi nuk krijon asnjë problem

“Pse jeni të mërzitur? Lërini të udhëtojnë. Të tregohemi pak të mençur politikisht, na duhet pak durim”, tha ai.

Ai ka theksuar se lejimi i qarkullimit të automjeteve në Serbi nuk do të thotë se Beogradi  do të njohë Kosovën.

“Nuk do të thotë njohje e pavarësisë së Kosovës. Serbia nuk do ta njohë ndonjëherë pavarësinë e Kosovës.  Kam lexuar diku një koment që i kemi lejuar shqiptarët nga Kosova të udhëtojnë me dokumentet e tyre të udhëtimit. Pra, ku udhëtojnë? Ata udhëtojnë në vendet ku u janë hequr viza. Cili është problemi që po shkojnë në Zvicër, Gjermani apo kudo që shkojnë? Lërini të shkojnë atje ku mendojnë se është më mirë. Aleatët e tyre ua hoqën vizat, ndaj le të shkojnë atje tek ata”, shtoi ministri.

Qeveria e Kosovës vendosi largimin e regjimit të letrave ngjitëse  nga automjetet  me targa të Serbisë që hyjnë në territorin e saj, hap të cilin e mori më herët  edhe Beogradi./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re