Mjekja pediatre Alketa Hoxha ka bërë një deklaratë që ka shokuar rrjetin, teksa ka thënë se nuk do të vizitojë asnjë fëmijë që nuk vaksinohet. Hoxha ishte sot e ftuar në emisionin “Dilema Sociale” me Eno Popin në Top Albania Radio, ku u diskutua mbi vaksinat, përfshirë dhe atë kundër Covid.

Hoxha tha se vaksina është me dëshirë, por vetë si pediatre nuk do të merrte përsipër asnjë fëmijë për ta vizituar nëse nuk do të jetë i vaksinuar.

“Unë do të deklaroj këtu që nuk do të pranoj të vizitoj kurrë një fëmijë, i cili nuk vaksinohet. Sepse në momentin që ky fëmijë i pa vaksinuar vjen për vizitë tek unë, aty mund të kem një fëmijë, që larg qoftë të ketë një sëmundje si leucemi ose ndonjë sëmundje tjetër që është problematike te fëmijët.

Atëherë, ky fëmijë që mezi ka shpëtuar nga sëmundja bazë, të marrë një virozë apo një sëmundje të fëmijës tjetër që s’është vaksinuar, kjo është fatale… është vdekjeprurëse. Vaksinimi nuk është përgjegjsi vetëm vetjake, por është përgjegjsi për tërë botën. Fatin e botës e kemi ne në dorë!”, është shprehur mjekja në studio.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re