Kam qenë në dilemë gjithë këto ditë për të shkruar mendimin tim lidhur me “fenomenin” Xheison Bafti, vogëlushin karizmatik të “Në Kurthin e Piter Pan”, për tre arsye kryesore: E para, nuk doja që masa të më keqkuptonte, siç ndodh rëndom në Shqipëri, duke e përkthyer reagimin tim kundër Xheisonit. Së dyti, sepse kjo temë është aq delikate pasi përballë ke një fëmijë që meriton botën dhe ndonëse procedura se si këtij fëmije i realizohet një dëshirë mund të mos jetë e duhura, sërish ndër vete shfryn: “Këtij djali iu bë mirë kështu që, varja të tjerave”. Dhe së treti, mërzitem kur mendoj se për pak vite Xheisoni do të ketë akses në internet dhe në pafajësinë e tij, nuk e meriton që emri t’i jetë lakuar në kaq reagime, analiza apo tituj portalesh.

E megjithatë, kundrejt këtyre tri arsyeve, vendosa gjithsesi të shkruaj sepse askush nuk ka parë keq nga kritika, përkundrazi, sa herë ka kritikë, ka vend për përmirësim. Dhe kritika konstruktive është diçka që i mungon Shqipërisë ndaj refuzoj të mos bëj timen.

Për këtë çështje, lexova edhe një shkrim të një psikologeje të njohur, Jeta Dedja, e cila merret specifikisht me fëmijët dhe mund ta shpjegojë më mirë situatën me terminologjinë e fushës, ndërkohë unë, pa qenë eksperte, dua të rrëfej ndjesinë e pastër por të trishtë që mora nga përdorja që një produksion i gjithi po i bën një vogëlushi të talentuar për efekt “show”.

Kur fillimisht u bë publik lajmi se Alketa Vejsiu dhe produksioni i “Në Kurthin e Piter Pan” kishin vendosur të mblidhin para për të ndërtuar një shtëpi të re për Xheisonin, blogeri Olti Curri reagoi i pari, duke i mëshuar faktit se vogëlushi nuk duhet trajtuar si lypës por duhet të marrë një pagë të mirë për spektaklin që ka dhuruar gjithë këto javë duke qenë se ishte dhe fëmija më i spikatur i këtij edicioni (ka arritur plot 200 mijë ndjekës në Instagram).

Unë mendoj njësoj si ai dhe le të ndalemi pak këtu. Deklarata e Oltit u keqkuptua nga disa, për një arsye të vetme: Shqiptarët janë mësuar me “lypjen” dhe trashëgimia e mendësisë komuniste nuk i lejon të shohin me objektivitet përtej “qylit”. Si një popull i pa mësuar me punën por me sytë nga qyli, e kemi të vështirë të kuptojmë se çfarë ka dashur të thotë konkretisht Olti me sugjerimin se Xheisonit i duhet dhënë një rrogë e mirë dhe jo mëshirë.

Në botën kapitaliste, çdo sekond pune, paguhet, në rastin kur puna e superon pritshmërinë, kjo punë edhe mbi-paguhet. Si në rastin e Xheisonit. Mbi-puna e tij, meriton një mbi-pagesë, që mund të përkthehet nga produksioni edhe në vlerën e një shtëpie dhe kështu, Xheisonit nuk do t’i duhet të jetë falenderues për shtrirjen e dorës por të kuptojë se gjithçka e arriti vetë dhe me punë, pa qenë nevoja as të ndihet inferior nga të tjerët dhe as të jetojë me ndjesinë se dikur, dikujt, i duhet t’ja shpërblejë gjithë këtë të mirë.

Ndërkohë, një tjetër detaj që ka kaluar pa u komentuar shumë, nga frika e një pjese të mirë të opionionit publik se po të kundërshtojnë do të duket si mosdeshirë që Xheisonit t’i ndërtohet një shtëpi e re, është edhe etiketimi që shpesh Alketa Vejsiu përdor lidhur me këtë rast. “Do t’i bëjmë Xheisonit ëndrrën realitet” – thotë ajo.

Në kastin e këtij viti, nuk është vetëm Xheisoni por edhe dhjetra fëmijë të tjerë, të cilët, me pafajësinë dhe të drejtën e tyre, kanë 1001 ëndrra. Ëndrrat e vogëlushëve të tjerë, të papërmendura asnjëherë në program, me siguri i ka bërë të ndihen se i kanë ato jo të vlefshme, se nuk mund të ëndërrojnë “kapriço” duke parë Xheisonin të jetojë në kushte jo të mira dhe mësohen padrejtësisht me idenë se vetëm ëndrra të këtij lloji vlejnë.

Ndërkohë, e vërteta e fëmijëve është krejt ndryshe. Në moshën që janë ata, ëndrrat, ndonëse të përmasave të ndryshme, kanë absolutisht të njëjtën vlerë dhe kur si produksion merr përsipër të realizosh ëndrra, atëherë duhet të sigurohesh të plotësosh nga një të tillë për çdo fëmijë në program. Fakti që fëmijët mund të urojnë më zemër një shtëpi më të mirë për Xheisonin (meqë Alketa e përmend shpesh se ka mbështetjen e tyre) nuk ka pse t’i bëjë të heqin dorë nga pritshmëria/kërkesa për realizimin e ëndrrave të tyre. Koha kur shoku sakrifikonte për tjetrin deri në absurd sepse kështu donte e fliste morali, është larguar bashkë me komunizmin nga Shqipëria. Sot, në botën që jetojmë, tjetrit I jepet dora por pa harruar në radhë të parë veten dhe vlerën që ka veçanërisht individi.

Mendoj që nëse produksioni do të kishte menduar më shumë për Xheisonin dhe më pak për barometrin e audiencës, do të kishin gjetur një zgjidhje më të drejtë për të dhe gjithë fëmijët.

Ëndrrat e fëmijëve janë të bukura sepse janë të sinqerta. E sinqertë deri në qelizë ishte dhe ajo e Xheisonit deri në momentin kur dashur apo pa dashur, u nis të përdorej nga të rriturit. Kur ëndrrat realizohen, nuk ka fajtorë, nuk ka kritika dhe fjalët mbeten të tepërta sepse me rëndësi ka produkti I mirë, megjithatë, duhet të bëjmë edhe një bilanc se sa njerëz përfshihen, ofendohen apo lihen pas dore në këtë proces. Sidomos kur kemi të bëjmë me fëmijë dhe me botën e tyre krejtësisht të pafajshme dhe ideale, që gati gati të bën të ndihesh shumë i pafuqishëm për t’u bërë pjesë nga frika se mos e ndyen. Siç duket, pikërisht ky balanc nuk u arrit nga produksioni i “Në Kurthin e Piter Pan” dhe kjo i bëri të rrëzoheshin në kurthin e fasadës dhe like-ve të Instagramit.

*Ky shkrim u realizua nga Lea B. (duke falenderuar për idenë e pseudonimit Enkel Demin, me shpresën se Lea do të jetë e fshehtë pak më gjatë se Tom Kuka

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re