Skip to content

“Nuk doja Uellsin dhe Italinë”, Duka: Futbolli nuk është matematikë, do bëjmë maksimumin

Shqipëria do të përballet në gjysmëfinalet e “Play Off” të Kupës së Botës 2026 me Poloninë.

Presidenti i FSHF, Armand Duka, që ndoqi nga afër shorti, e ka komentuar atë në një prononcim për fshf.org.

Polonia? E para, jam shumë i lumtur që jemi në short për play-off të Kupës së Botës. Nuk prisja që të kishte ndonjë dhuratë. Janë të gjithë ekipe të forta. Në vazon e dytë kundërshtarët e mundshëm për mua ishin të gjithë të fortë. Polonia është një skuadër me të cilën kemi luajtur në 2-3 vitet e fundit. Gjithsesi është shumë e fortë, me një nga yjet e futbollit europian. Por, ne do të tentojmë shanset tona. Duhet të përqendrohemi maksimalisht te Polonia dhe të shpresojmë për ta kaluar.

Finalja e mundshme, ndaj Ukrainës ose Suedisë? Unë nuk kam pasur asnjë lloj dëshire që para se të vinim se kë nga katër kundërshtarët e vazos së dytë do të doja në grup. Ashtu siç erdhën punët në short, nuk do më pëlqente vazo e parë, që ishte një ndeshje në Uells dhe e dyta kundër një kundërshtari të mundshëm si Italia. Të tjerët më duken të gjithë shumë të fortë. Ne në letër nuk jemi skuadra favorite për ta kaluar këtë play-off, por gjithsesi do të bëjmë maksimumin. Futbolli nuk është matematikë, është lojë që ka shumë të papritura, ka emocione dhe unë shpresoj shumë që ne t’i dhurojmë sportdashësve tanë emocione pozitive”, tha Duka.

Poloni-Shqipëri luhet më 26 Mars, ndërsa kuqezinjtë kanë mësuar edhe kundërshtarin e mundshëm për finalen e “Play Off”.

Nëse Shqipëria kalon me sukses Poloninë, në finalen e “Play Off”, që të dërgon në Botërorin 2026, do të luajë ndaj fituesit të çiftit Ukrainë/Suedi. 

Rezultatet e shortit:

Faza play-off ndërkombëtare

Kaledonia e Re – Xhamajka vs Republika Demokratike e Kongos

Bolivia – Suriname vs Irak

Faza play-off, zona UEFA – Ndeshjet gjysmëfinale

Italia – Irlandë e Veriut

Ukrainë – Suedi

Turqi – Rumani

Danimarkë – Maqedoni e Veriut

Uells – Bosnjë Hercegovinë

Poloni – Shqipëri

Sllovaki – Kosovë

Çekia – Irlandë

Përballjet finale të fituesve

Uells – Bosnjë Hercegovinë vs Italia – Irlandë e Veriut

Ukrainë – Suedi vs Poloni – Shqipëri

Sllovaki – Kosovë vs Turqi – Rumani

Çeki – Irlandë vs Danimarkë – Maqedoni e Veriut