Njësoj siç bëri në hyrje të seancës parlamentare, ku u prit nga dhjetra mbështetës, edhe në dalje të saj, Sali Berisha mori të gjithë vëmendjen mediatike, teksa është i vetmi që flet për mediat në këtë ditë të parë të punimeve të Kuvendit.

Në dalje të seancës që zgjati fare pak minuta, Berisha tha se nuk e njeh vendimin e Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga grupi, dhe se ai mund të shkojë kur të dojë në selinë blu. Berisha tha se ai do të nisë nga brenda punën për ringritjen e PD, ndërsa tha se grupi parlamentar nuk u pyet fare për përjashtimin e tij.

“Në Kuvend më i vendosur, më i motivuar se kurrë në jetë për të mbrojtur interesin publik të qytetarëve shqiptarë të kombit shqiptar, për të denoncuar të gjitha aferat e këtij regjimi, regjim i cili ka zgjedhur shpifjen, trillimin, kurthet pazaret për eleminimin e opozitarëve shqiptarë.

Unë garantoj se ajo që ndodhi është një marrëveshje Rama Basha, në kurriz të zgjedhësve shqiptarë dhe duhet çmontuar një minutë e më parë. PD është parti e lirisë dhe e të drejtave njerëzore, jam i bindur që demokratët shqiptarë do të dinë të vendosin PD në piedestalin që meriton.

Do marr çdo nismë brenda PD për rikthimin e saj në piedestalin që meriton. Unë jashtë çdolloj diskutimi jam anëtar i grupit të PD, vendimi, kompromisi Rama Basha është nul, përveçse flliqësirë kundër opozitës.

Mund të hyj në çdo kohë në seli, është e afërt dita kur PD do të rifitojë të gjithë forcën dhe legjitimitetin për të shporrur klikën dhe pazaret e flliqura me ata që e shndërrojnë PD në fasadë. Grupi as që nuk është pyetur fare”, u shpreh Berisha në dalje të Kuvendit.

Tre deputetët e PD që u pozicionuan krah Berishës janë: Edi Paloka, Tritan Shehu dhe Flamur Noka.

Vetë kryedemokrati Basha, i ngrysur në fytyrë ka vendosur që të mos bëjë asnjë koment në lidhje me zhvillimet që po ndodhin brenda selisë që ai drejton, dhe ka shkuar në seli pa thënë asnjë fjalë. Basha shoqërohej në dalje të Kuvendit nga Ervin Salianji dhe Gazment Bardhi.

Kuvendi pritet të rinisë në orën 17:00 të pasdites së sotme pasi të bëher verifikimi i mandateve ku do të bëhet më pas edhe betimi i deputetëve të zgjedhur në 25 Prill.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re