Kryeministri Edi Rama nga Brukseli ka dhënë një intervistë për median e Kosovës, ATV, ku ka folur për çështjen e dinarit serb dhe për paralajmërimet e SHBA-së në lidhje me vendimin e Kosovës për këtë çështje.
Rama u shpreh se Kosova është në të drejtën e saj për ta zbatuar Kushtetutën edhe për dinarin, por që shtoi se duhet të vendosë komunikim dhe ndërveprim me aleatët strategjikë.
“Nuk dua të japë asnjë leksion për askënd, por në njërën anë Kosova është në të drejtën e saj dhe duhet kuptuar nga ata që e njohin si shtet kur përpiqet të zbatojë Kushtetutën e saj, por nga ana tjetër Kosova duhet të vendos komunikimin dhe ndërveprimin me aleatët tanë strategjik për çdo hap me te cilin mund të krijojë përplasje me këta aleatë që janë të pazëvendësueshëm”, tha kreu i qeverisë shqiptare.
Rama gjithashtu tha se Kosova ka bërë një hap domethënës me pranimin e Asociacionit që është në përputhje me ligjin. Ndër të tjera ai u shpreh se nuk do të duket se mban anën politike të Kosovës, por do që ta shohë si palë serioze në rrafshin ndërkombëtar.
“Roli i politikës duhet të jetë që të kontribuojë me argumente të nevojshme ligjorë, e nuk duhet të ketë akuza nëse Asociacioni është tradhti. Kosova nuk duhet të duket se është palë joserioze në këtë rast.
Nuk do të dëshiroja që fjalët e mia të merren as si fjalë që i shkojnë përshtati qeverisë së Kosovës apo opozitës pasi ky nuk është roli im. Por dua ta shoh Kosovën si një palë serioze në rrafshin ndërkombëtarë pasi një pjesë vendeve të BE-së nuk e njohin Kosovën, por një pjesë tjetër e duan atë sa më parë pjesë të BE-së”, deklaroi Rama.
