Presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima ka folur për kërkesat që ka Liga Profesioniste duke thënë se Fidel Ylli i takon më shumë futbollit se politikës dhe beson se do të mbështesë kërkesat dhe do të ndihmojë në zgjidhjen e situatës.

Nga stadiumi “Loro Borici”, ku ndoqi nga afër miqësoren mes Vllaznisë dhe Apolonisë që përfundoi në barazim pa gola, theksoi se nuk do të ketë një takim me Ministrinë e Financave pasi nuk ka asgjë për tu diskutuar.

“Ne gjithmonë e kemi thënë që Fideli i takon botës së futbollit më shumë se sa të politikës. Ne besojmë se ai do të bëjë përpjekje për të mbështetur kërkesat e Ligës dhe për të lobuar për to.

Nuk shkuam në takim, se nuk ka nevojë për një zgjidhje teknike. Ministria e Financave ka qenë gjithmonë kundër kërkesave. Këto kërkesa kanë 4 vjet, nuk janë të reja. Ministria e Financave ka qenë një kështjellë burokratike, armiqësore me interesat e ekonimisë së futbollit në Shqipëri. Ne nuk presim zgjidhje teknike. Kjo është një çështje e vullnetit politik. Nuk bën dot vullnet politik Ministria e Financës, vullnet politik të shumicës mund të bëjë kryeministri. Në qoftë se shumica ka dëshirë për ta zgjidhur këtë situatë, këto i takojnë kryeministrit.

S’kemi gjëra për të biseduar me Ministrinë e Financave. Nuk është kokëfortësi kjo, është gjë shumë e thjeshtë, do vullnet politik, përmbushja e këtyre kërkesave elementare. Ne nuk duam konfrontime apo luftë. Ne nuk bëjmë as politizim të kërkesave të Ligës. Këto nuk kanë lidhje me botën e futbollit.

Nëse qeveria ka dëshirë ti bëjë, nuk ka përse të takohet me ne. kryeministri ka bërë 12 premtime për botën e futbollit dhe nuk i ka përmbushur. Topi është në fushën e tyre. Nuk kemi cfarë të bëjmë. Futbolli po lëngon. Nuk është luftë që bëjmë për futbollin. Është një luftë që bëjmë për të gjitha sportet, është një luftë për shëndetin e popullit, një luftë për ekonominë e popullit.

Miqësorja e sotme ishte një ndeshje e bukur. Pamë një lojë të bukur, e dobishme për trajnerët dhe skuadrat. Unë jam pjesë e botës së futbollit, kam interesat e mia, si të gjitha klubet dhe të gjithë investitorët e tjerë. Unë nuk kam interesa të fshehura, i kam të hapura. Kam shumicën dërrmuese të aksioneve të Apolonisë. Dua që Apolonia të eci në mënyrë të shëndetshme. Nuk jam për komplote dhe puçe. Unë jam një nga 10 kolegët që ngre zërin, s’kam asnjë rol të vecantë.

Apolonia dëshiroj t’i justifikojë pritshmërinë e qytetarëve të Fierit dhe të tifozëve, të konsolidojë qëndrimin në Superiore dhe t’i rrisë vlerën lojtarëve të rinj. Ka për mision që lojtarët e rinj t’i çojë në tregjet e pasura të futbollit, për të bërë famë, ëndrrat realitet dhe pasuri”, u shpreh Kokëdhima.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re