Politikani Indrit Hoxha, në një intervistë të dhënë për Fax News u shpreh se në Shqipëri duhet bërë ligji i dekomunistizimit për personat të cilët kanë qenë në organet e drejtësisë, të hetuesisë apo gjykatës gjatë sistemit komunist dhe këta njerëz nuk duhet të jenë më pjesë e drejtësisë dhe as në pozicione drejtuese në administratën publike.

Sipas Hoxhës, këta njerëz të cilët kanë bërë krime gjatë sistemit komunist nuk duhet të lejohen që drejtësia në vend të vendoset pikërisht nga këta persona.

“Për mua në Shqipëri duhet bërë ligji i dekomunistizimit që do të thotë çdo person që ka qenë në organet drejtuese, hetuese apo gjykuese të sistemit komunist jo që nuk duhet të jetë më pjesë e sistemit të drejtësisë, por nuk duhet të ketë asnjë pozicion në administratën publike dhe në parlamentin e Republikës së Shqipërisë.

Sot 30 vite më pas nuk është vetëm z. Dvorani, ne kemi ish-hetues dhe prokurorë që janë deputet, kemi ish-ministrin e brendshëm të diktaturës që është kyetar i Kuvendit që është absurditeti më i madh që mund të ndodhi në një vend demokratik.

Dhe si puna e këtyre individëve ka shumë e shumë në strukturat shtetërore të cilët sot jetojnë dhe punojnë të qetë. Ne nuk jemi për hakmarrje, por nuk mund të iu lejohet që këta njerëz që kanë bërë krime në atë sistem dhe sot vendosin drejtësi. Cilën drejtësi do të japi z. Dvorani sot, atë të kushtetutës së Enver Hoxhës, apo këtë ramaformën që ka bërë vetë. Unë mendoj që reforma në drejtësi duhet të ketë edhe disa ndërhyrje në çështjen e dekomunistizimit”, tha Hoxha.

(S.D/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re